Në Shqipëri, opozita tërhiqet nga procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit

Tiranë, 9 dhjetor 2025 – Zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit po shkon drejt dështimit për të disatën herë që prej pranverës së vitit 2022, kur nisi ky proces.

Opozita deklaroi të martën se do të tërhiqen nga procesi, duke akuzuar mazhorancën socialiste se po përpiqej të diktonte emrin që do të zgjidhej nga një listë me 6 emra të mbështetur me firmat e deputetëve të opozitës, duke mos pranuar tërheqjen e deputetëve nga këto firma.

Duke anashkaluar tërheqjen e grupit parlamentar të PD-së nga mbështetja e tyre për kandidatët, Komisioni i Ligjeve miratoi në mënyrë të njëanshme vetëm me votat e socialistëve një raport për seancën plenare ku përfshihen gjashtë kandidatët që kishin mbledhur këto firma.

Ulsi Manja, kryetari i këtij komisioni tha se do të ishte seanca plenare që do të vendoste të pranonte tërheqjen e firmave nga opozita dhe të vendosë për rihapjen e procesit, apo do të vijohet me zgjedhjen e një prej gjashtë emrave që plotësojnë kushtet ligjore.

“Ju i keni tërhequr firmat pas 2 dhjetorit. Nuk jam unë që e pranoj këtë, këtë e vlerëson seanca,” u tha Manja deputetëve të opozitës që po protestonin kundër kalimit të kandidatëve për votim në seancë plenare.  Data 2 dhjetor ishte afati I fundit kur kandidatët duhej të dorëzonin mbështetjen me firmat e deputetëve.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri e akuzoi Manjën se po çonte një situatë të gënjeshtërt drejt seancës plenare. “Po u thua që kandidatët kanë edhe firmat tona, kur ne kemi depozituar tërheqjen nga këto firma,” tha Strazimiri.

Avokati I Popullit zgjidhet me 84 vota duke kërkuar një konsensus paraprak politik dhe sipas traditës së mëparshme parlamentare, ky pozicion propozohej nga opozita.

Edhe këtë radhë, Partia Socialiste kishte premtuar publikisht se do të ishte opozita ajo që do të propozonte kandidatët dhe ajo do të votonte njërin prej tyre, por PD tërhoqi mbështetjen me firma dhe kërkoi që procesi të kryhej me konsultim mes palëve deri në përzgjedhjen e emrit që do të bëhej avokat I ri dhe jo t’i lihej rastësisë së votimit në seancë.

Emrat që u miratuan në Komisonin e Ligjeve për t’u votuar në seancë plenare janë; Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Skënder Haluci, Taratar Bazaj dhe Endri Shabani, të cilët kishin mbledhur më shumë se 28 firma deputetësh nga krahu i opozitës.

Por PD njoftoi të martën tërheqjen nga procesi i zgjedhjet së avokatit të ri duke e konsideruar si “farsë” dhe “intrigë”, ndërkohë që deputetët firmëtarë kanë depozituar zyrtarisht në Kuvend tërheqjen nga firmat mbështetëse.

“Ne paraqitëm disa kandidatura, ata shtuan edhe kandidaturat e tyre. Është Endri Shabani,” tha kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke zbuluar dhe arsyen e këtij konflikti që duket se lidhet me emrin e kandidatit Shabani, ish kryetar i partisë “Thurje”, i cili edhe pse kishte firmat e PD-së konsiderohet si preferencë e mazhorancës për të marrë detyrën e Avokatit të Popullit.

Edhe pse gjatë më shumë se 3 viteve ka pasur dhjetra kandidatë që janë vetëofruar për këtë detyrë dhe procedura ligjore ka shkuar deri në seancë plenare, Kuvendi nuk ka mundur të zgjedhë një emër.

Në procesin e parë, mazhoranca rrëzoi me votë në seancë plenare kandidatët e opozitës, ndërsa në procesin e dytë kryetari i grupit socialist në atë kohë, Niko Peleshi, kërkoi shtyrjen e votimit deri në gjetjen e një konsensusi për emrin dhe asnjë prej kandidatëve të zyrtarizuar me mbështetjen e votave të deputetëve nuk u hodh në votim.

Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje.

(Reporter)