Në Shqipëri, pastrimi i parave i mban çmime të larta për qiratë e zyrave 

Çmimet e zyrave për agjentët imobiliarë do të vijojnë të mbeten të larta edhe këtë vit. Arsyet kryesore që ndikojnë te mosndryshimi i çmimeve janë, së pari fenomeni i pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, si dhe kërkesa e lartë për ambiente me qira zyrash.

Fatjon Hysenbelliu, drejtues i agjencisë së pasurive të patundshme “Future Home”, thotë se edhe këtë vit, çmimet e qirave për tregun e zyrave do të jenë në stanjacion. Z. Hysebenlliu thekson se pavarësisht se oferta për mjedise me qira luksoze është më e lartë se kërkesa, subjektet ndërtuese nuk ofrojnë ulje në tërësi çmimesh pasi i përdorin investimet e tyre për pastrim parash.

Sipas tij, oferta e lartë për mjedise të lira në kulla në zonat elitare të Tiranës mund të sjellë rënie të çmimeve, vetëm në rast negociatash mes qiradhënësve dhe bizneseve të interesuara.

“Kjo kategori investitorësh i shohin këto mjedise dhe si formë ‘Money Laundering’ (pastrim parash). Çmimet në zonat elitare nuk do pësojnë ulje, por stacionim në nivelet aktuale, derisa mentaliteti i sipërmarrësve të pranojë logjikën e zhvillimit të biznesit në këto kulla”.

Burime nga tregu i agjencive të pasurive të patundshme thanë për “Monitor” se ndërtuesit janë kategoria që përfitojnë më tepër nga pastrimi i parave në tregun e qirave. Pjesa tjetër është minimale, duke qenë se kërkon kohë në arkëtimin e vlerës.

Skema e pastrimit të parave, sipas tyre, është e ngjashme me skemat financiare të shmangies së detyrimeve, ku qiramarrja bëhet, si kontrata mbi bazën e dy NIPT-eve. Deklarimet për qiranë bëhen reale, por vlerat amortizohen nëpërmjet TVSH-së dhe shpenzimeve vjetore.

Të gjitha vlerat që arkëtojnë nëpërmjet numrit NIPT i bëjnë me shkarkimet e shpenzimeve që mund të ketë një firmë ndërtimi, duke arkëtuar TVSh-në apo pagesa të tjera të deklaruara me mbifaturim. Vlera e arkëtimit të qirasë nëpërmjet kësaj skeme mbetet “e pastër” në llogarinë e ndërtuesve.

Përdorimi i skemave të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme është hasur edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Gjatë 2022, ky institucion në raportin vjetor publikoi 8 tipologji skemash që janë dyshuar si forma të pastrimit të parave në vend.

Shumica e tipologjive kanë në thelb investimet në pasuri të paluajtshme, ku janë të paktën tre të tilla të lidhura me to, por nuk mungojnë as dyshimet për përdorim të fondeve publike, transferta të dyshimta të lidhura edhe me grupe kriminale.

Të gjitha këto tipologji të hasura janë dërguar pranë autoriteteve përkatëse nga ana e kësaj drejtorie, për t’u hetuar dhe për të dalë më pas në përfundime më të sakta mbi atë se çfarë përfaqësojnë.

Arsyet e tjera pse nuk ulen çmimet

Agjentë të tjerë imobiliarë theksojnë si arsye të çmimeve të larta të zyrave materialet e ndërtimit dhe kërkesën e shtuar, sidomos nga bizneset e huaja. Stela Dhami, nga “Colliers”, pohon se çmimet e qirave të zyrave të paktën për një periudhë afatshkurtër nuk pritet të ulen, për shkak edhe të shtrenjtimit të kostos së ndërtimit.

“Në periudhë afatshkurtër nuk parashikojmë asnjë ulje të çmimit, sepse kosto aktuale e ndërtimit, si dhe barra tatimore për ndërtuesit është rritur, të gjitha këto rritje do të reflektohen në rritje çmimesh për konsumatorin përfundimtar, që është edhe përdoruesi i zyrave.

Më të fituar nga këto transaksione do të mbeten ata qiradhënës, të cilët kuptojnë kërkesat aktuale të qiradhënësve dhe gjithmonë bëjnë një krahasim godinash, përpara se të marrin vendimin përfundimtar se ku do të zhvendosin aktivitetin e biznesit”, nënvizon Stela Dhami, nga “Colliers”.

Lorina Radi, agjente imobiliare te “Century 21 CPM Smart”, pohon se nuk ka tendencë për ulje çmimesh, pasi kërkesa është e lartë. “Çmimet e qirave për zyra parashikohet të qëndrojnë në këto nivele.”

(Monitor.al)