Në Shqipëri, pedagogët universitarë vazhdojnë bojkotin, Rama hedh poshtë kërkesën për rritje lineare të pagës

Tiranë, 18 tetor 2022 – Pedagogët e universiteteve publike në Tiranë dhe në qytetet tjera të Shqipërisë nuk kanë zhvilluar mësim në pjesën dërrmuese të auditoreve as të martën.

Kështu ata ushtrojnë presion ndaj qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesorja prej të cilave është ajo për rritje të pagave 50 për qind.

Pedagogët thonë se rritja e pagës 7 për qind, siç vendosi qeveria, kur inflacioni është mbi 10 për qind, mund të quhet thjesht një indeksim, ndërsa shtimi deri në 8 për qind page që kërkon qeveria prej vet universiteteve është i pamundur, sepse pagesat e studentëve janë për shërbimet e studimit të tyre dhe jo për të rritur pagat e pedagogëve.

“Ne kemi kërkuar që pagat tona të rriten me fondet e qeverisë dhe jo me paratë e studemtëve. Duket sikur vendimi i qeverisë është një kurth i vogël për të na future në sherr me studentët, por nuk kanë arritur të na përçajnë. Studentët e dinë që ne nuk i rritim pagat me paratë e studimeve të tyre”, thotë profesore Ilda Kola, në Universitetin Politeknik të Tiranës, citon Zëri i Amerikës.

Sindikatat e pedagogëve të universiteteve thonë se 9 kërkesat e peticionit të tyre janë minimale dhe legjitime për të kthyer dinjitetin e profesoratit dhe punonjësve universitarë.

Pedagogët thonë se Shqipëria është e fundit në rajon dhe në Europë për pagat e pedagogëve universitarë. Madje, edhe nëse qeveria do t’i rrisë ato për 50 për qind, siç kërkojnë sindikatat, përsëri ato nuk i arrijnë pagat e pedagogëve të Kosovës.

“Sipas një informacioni të Komunitetit Europian mbi pagat mesatare të pedagogut, Shqipëria është në vend të fundit. Shqipëria në atë tabelë është më poshtë se sa Kosova dhe Maqedonia e Veitu, madje renditet më poshtë edhe se sa Bosnje-Hercegovina. Qeveria duhet ta mirëkuptojë këtë nismë të sindikatave të universiteteve, sepse është një lëvizje për dinjitet dhe arsim cilësor, të cilat nisin nga respekti dhe vlerësimi për dijet e pedagogëve”, tha profesori Ardian Isufi nga Universiteti i Arteve.

Pedagogët thonë gjithashtu se buxheti për arsimin e lartë në Shqipëri duhet të rishikohet dhe se qeveria duhet të ngre deri në 5 për qind buxhetin për arsimin, siç ka premtuar kryeministri Edi Rama vite më parë. Ata kërkojnë edhe transparencë të financave të universiteteve.

“Protesta jonë, që shtrihet në gjithë Shqipërinë, nisi dje, vazhdoi sot dhe do të vazhdojë derisa ministria e arsimit të përgjigjet mbi kërkesat tona. Janë kërkesa të drejta dhe minimale, të cilat i kemi parashtruar autoriteteve nga viti 2019 deri sot”, tha profesor Klodian Dhoska, përfaqësues i Sindikatës.

Por, Kryeministri Edi rama e përjashtoi mundësinë e përmbushjes së kërkesës së pedagogëve për rritjen e pagës dhe shpërblimit. Ai tha se, me reformën në arsimin e lartë, universitetet mund t’i ngrenë vetë pagat dhe shpërblimet nga të ardhurat dhe fitimet tjera të tyre.

Rama, gjatë një takimi me rektorët e universiteteve, tha se kjo ishte hera e fundit që qeveria bën rritje page në mënyrë uniforme dhe theksoi se universitetet duhet të sigurojnë fonde për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për kërkime shkencore nga puna e tyre.

“Koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme, sepse kërkojnë sindikatat, ka mbaruar bashkë me reformën e arsimit të lartë, e cila është e shkruar. Autonomia universitare është liri, është edhe përgjegjësi”, theksoi Rama.

Por, pedagogët thonë se kërkesat e tyre janë thjeshtë ekonomike dhe i bëjnë thirrje qeverisë që të mos i shikojë pedagogët dhe sindikatat e tyre si kundërshtarë, por t’I trajtojë ata si partnerë për zhvillimin e universiteteve dhe shoqërisë shqiptare dhe të dialogojë me ta.

Protesta e pedagogëve pritet të vazhdojë gjayë javës me tubime para fakulteteve. Sindikatat e tyre paralajmëruan se protesta mund të ndryshojë formë. Pedagogët paralajmëruan se kërkesave të tyre mund t’u shtohen edhe kërkesat e studentëve.

Organizata studentore “Lëvizja për Universitetin” i është drejtuar qeverisë me disa kërkesa ekonomike. Ajo kërkon së paku 100 dollarë mbështetje financiare për student, për të përballuar ngritjen e çmimit të strehimit dhe për të lehtësuar studimet e tyre në kohë krize.

“Për studentët e ekselencës jepet një bursë prej afro 100 dollarësh, ndërsa për të tjerët nuk ka ndonjë ndihmë. Për studentët me ndihmë sociale ka një përgjysmim të tarifës universitare, por për gjithë të tjerët gjithë ngarkesa bie në kurrizin tonë dhe të familjeve tona”, tha Loreta Koleci, përfaqësuese e “Lëvizjes për Universitetin”.

Por, as studentët nuk kanë marrë përgjigje nga qeveria lidhur me kërkesat e tyre.

(r.m.)