Tiranë, 30 mars 2024 – Policia në Shqipëri arrestoi në flagrancë 2 persona të cilët dyshohet se trafikonin vepra të artit dhe trashëgimisë shqiptare, kundrejt fitimit të shumave të mëdha financiare që siguroheshin nga shitja e tyre tek shtetas nga Greqia, Italia dhe Mali i Zi.
Policia tha se gjatë kontrollit u gjetën 13 statuja dhe ikona të madhësive dhe formave të ndryshme, të cilat të dy personat dyshohet se i kanë siguruar në Fier, Berat dhe Gjirokastër.
Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve është Pëllumb Leka, punonjës i parqeve arkeologjike, i cili i siguronte statujat, ndërsa shtetasi tjetër, Emanuel Çaço, bashkëpunonte për t’i shitur veprat e artit kundrejt vlerave që, sipas policisë, varionin nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.
Nga pamjet e policisë, veprat e artit te bllokuara që paraqesin kryesisht koka prej mermeri dhe statuja të vogla, sipas vlerësimit paraprak të specialistëve të trashëgimisë, janë të ngjashme me ato të zbuluara në qytetet antike.
(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)