Në Shqipëri sekuestrohen 500 kilogram kanabis që kishte destinacion Turqinë

Tiranë, 12 dhjetor 2023 – Një sasi e konsiderueshme kanabisi është sekuestruar të martën në Vlorë, gjatë operacionit policor “Reset”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me forcat speciale RENEA.

Gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona: Idriz Meminaj, Romir Meminaj, Emanuel Meminaj, Nertin Gjoni, Xhuliano Gjoni, Laurert Likaj dhe Altin Meçi.

Disa persona të tjerë të dyshuar lidhur me rastin janë shpallur në kërkim.

Lënda narkotike u gjet e fshehur në një furgon. Ajo ishte e paketuar dhe gati për shitje ose pë trafikim. Kanabisi, me peshë 500 kg, ishte i paketuar në 34 pako.

Drejtori i Policisë në Vlorë, Ermal Muçaj, ka thënë se lënda narkotike do të trafikohej përmes detit drejt Turqisë. Ai ka thënë se personat e arrestuar ishin pjesëtarë të një grupi kriminal.

“Këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar për të trafikuar drogën drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare. Ata kishin përpunuar dhe ambalazhuar lëndën narkotike në një magazinë, dhe më pas, përmes një automjeti po e transportonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar me rrugë detare, drejt Turqisë”, ka thënë Muçaj.

Ai ka thënë se edhe disa persona të tjerë nga Vlora dhe nga Tirana janë shpallur në kërkim.

Policia ka sekuestruar automjetin e ngarkuar me 34 pako me kanabis, kurse gjatë kontrollit në një magazinë në fshatin Trevllazër janë sekuestruar dy armë zjarri, katër automjete dhe tetë celularë.

(r.m.)