Në Shqipëri sekuestrohen asetet e kompanive “MCA” e “Final”

Tiranë, 19 korrik 2024 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten më 19 korrik sekuestrimin e kuotave dhe asteve të shoqërive Micro Credit Albania (MCA) dhe Final, që akuzohen se zhvatën mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit të kredive të këqija përmes shtrëngimit ose shantazhit, duke u bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme.

Në njoftim thuhet se nga hetimet ka rezultuar se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperteje vlerësuese kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve, që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

Prokuroria i akuzon shoqëritë dhe përfaqësuesit e tyre se në mënyrë abuzive kanë përdorur të  dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme, si dhe se kanë ushtruar presion psikologjik dhe përndjekur debitorët dhe familjarët e tyre me  qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.

Po ashtu, ata akuzohen se kanë mashtruar në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore; se kanë sekuestruar llogari bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik; kanë sekuestruar pronat e paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; si dhe kanë kaluar në pronësi të tyre pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë, në ankande  fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave.

Sipas organit të akuzës, të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer  se po ristrukturonin të vjetrën apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.

Si rrjedhojë, shoqëritë MCA dhe Final akuzohen se kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në dhjetra milionë euro. Këto para  dhe prona më pas i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

Prokuroria ka vlerësuar se disponimi i këtyre pasurive nga shoqëritë e mikrokredit mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale. Për këtë arsye konsiderohen si pasuri që duhet të konfiskohen dhe për këtë arsye i janë drejtuar gjykatës për sekuestrimin e tyre, kërkesë që është pranuar me vdnimarrje, e cila dhe është ekzekutuar.

Më 23 maj, u njoftua prej prokurorisë vendosja në në masë sigurie arrest me burg apo arrest shtëpie i nëntë personave që dyshohet se kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe ka dërguar në SPAK për hetime të mëtejshme përgjegjësinë e mundshme penale të zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, përfshirë guvernatorin Gent Sejko, i cili dyshohet se nuk ka vepruar në kohë për të ndaluar abuzimet e MCA. Sipas prokurorëve, Sejko ka dërguar grup inspektimi te MCA në vitin 2020 ndërsa ka ndërmarrë masa për bllokimin e pjesshëm të aktivitetit të saj vetëm dy vjet pasi inspektorët e BSH kishin vërejtur probleme në administrimin e kompanisë.

Sejko, i cili u thirr për pyetje në parlament në lidhje me këtë çështje, e konsideroi problemin si një çështje ligjore jashtë fuqisë vendimmarrëse të Bankës së Shqipërisë dhe sugjeroi që kuvendi të ndërmarrë ndryshime ligjore për të mbikëqyrur më mirë tregun e përmbaruesve gjyqësorë privat.

(Reporter.al)