Madrid, 20 korrik 2024 – Policia spanjolle ka njoftuar të shtunën se i ka arrestuar tre hakerë prorusë, të dyshuar për kryerje të sulmeve kibernetike me qëllime terroriste, kundër Spanjës dhe shteteve tjera të NATO-s.
Të dyshuarit janë ndaluar për pjesëmarrje nëpër sulme kundër institucioneve publike dhe sektorëve strategjikë, kanë thënë autoritetet.
Sulmet dyshohet se janë kryer kundër uebfaqeve të organizatave publike dhe private, në sektorë qeveritarë, në infrastrukturë kritike dhe shërbime thelbësore në shtetet që mbështesin Ukrainën, teksa e lufton pushtimin rus, sipas njoftimit.
Policia e ka publikuar një video në rrjetin social X – platformë e njohur më parë si Twitter – duke kryer bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku janë parë elemente sovjetike të ngjitura në mure.
“Këto sulme kompjuterike janë organizuar nga grup i hakerëve NoName057(16), i cili ka nisur punën pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë dhe është më aktivi”, ka thënë policia.
“Në manifestin e tyre të themelimit, grupi e pranon që do të përgjigjet në përputhje me veprimet armiqësore anti-ruse të rusofobëve perëndimorë”.
Arrestimet janë kryer nëpër rajone të ndryshme të Spanjës.
(Radio Evropa e Lirë)