Në takim me Presidente Osmani do të marrin pjesë të gjithë liderët e ftuar

Prishtinë, 13 maj 2025 – Presidenca e Kosovës ka njoftuar se liderët e të gjitha partive të ftuara në takimin konsultativ me Presidenten Vjosa Osmani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me presidenten Osmani”, ka njoftuar Presidenca, të martën pasdite.

Presidentja Osmani i ka ftuar në takim liderët e partive më të mëdha parlamentare, për të diskutuar për zgjidhjen e ngërçit politik që e ka bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit.

Në takim janë ftuar liderët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas deklarimeve publike, në takim do të marrin pjesë liderët e tyre: Albin Kurti, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.

Liderët e dy partive të vogla parlamentare që kanë qenë pjesë të koalicioneve parazgjedhore, partisë Guxo dhe Nismës Socialdemokrate, Faton Peci dhe Fatmir Limaj, kanë thënë të martën se edhe ata duhet të ishin ftuar në takim nga Presidenatja Osmani.

Të martën dështoi edhe përpjekja e 15-të për konstituimin e Kuvendit, pasi as këtë herë nuk kaloi propozimi për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Seanca e radhës, më saktë vazhdimi i 16 i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, do të mbahet, të enjten, më 15 maj, pikërisht në ditën e takimit të liderëve të partive më të mëdha me Presidenten Osmani.

(r.m.)