Në Tiranë, arrestohen 14 protestues, për bllokimin e hyrjeve të Kryeministrisë

Tiranë, 2 shtator 2026 – Policia e Tiranës njoftoi të mërkurën për arrestimin e 14 protestuesve dhe për procedimin penal në gjendje të lirë të tre të tjerëve, pas tubimit të përnatshëm të zhvilluar pranë godinës së Këshillit të Ministrave.

Sipas policisë, një grup protestuesish u zhvendos rreth orës 20:00 të së martës në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, duke bllokuar hyrje-daljet e institucionit.

Policia pretendoi se në atë kohë brenda Kryeministrisë ndodheshin “personalitete të larta shtetërore”, pa bërë të ditur identitetin e tyre.

Forcat e rendit ngritën një kordon sigurie për të penguar protestuesit që të afroheshin më tej me godinën, ndërsa sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrësve iu kërkua për rreth 30 minuta përmes megafonit që të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën.

Policia tha se protestuesit u paralajmëruan gjithashtu se bllokimi i rrugës dhe i hyrjeve të Kryeministrisë përbënte shkelje të ligjit dhe pengonte qarkullimin, përfshirë, sipas saj, edhe lëvizjen e zyrtarëve të lartë.

Sipas versionit të policisë, një pjesë e protestuesve refuzuan të largoheshin dhe kundërshtuan fizikisht efektivët gjatë ndërhyrjes për lirimin e rrugës.

“Në momentin që punonjësit e Policisë po kryenin zhvendosjen e tubuesve, me qëllim lirimin e hyrje-daljeve të Kryeministrisë dhe lirimin e rrugës, tubuesit bënë rezistencë aktive,” thuhet në njoftim.

Prej më shumë se tre muajsh, mijëra qytetarë protestojnë çdo natë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Lëvizja është pagëzuar nga media ndërkombëtare si “Revolucioni i Flamingove”.

Policia pretendon se të martën  protestuesit u ulën në rrugë dhe se disa prej tyre shtynë dhe goditën efektivët. Në njoftim nuk jepen të dhëna mbi persona të lënduar apo dëme të shkaktuara gjatë përplasjes.

Katërmbëdhjetë persona, të moshës nga 22 deri në 52 vjeç, u arrestuan në flagrancë, ndërsa tre të tjerë, të moshës 47, 54 dhe 56 vjeç, u proceduan në gjendje të lirë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “prishjes së qetësisë publike” dhe “pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Përfaqësues të partive opozitare u shprehën kritikë ndaj ndërhyrjes së policisë, duke e cilësuar atë si dhunë, për të cilën, sipas tyre, kryeministri Edi Rama do të mbajë përgjegjësi.

Në një videopostim jashtë Komisariatit nr. 3 mbrëmjen e së martës, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, deklaroi se dhuna e policisë dhe ndalimet e protestuesve po vazhdonin, ndërsa akuzoi forcat e rendit për mungesë transparence lidhur me ndalimet e qytetarëve.

“Dhuna policore po vazhdon ndaj protestuesve,” u ankua Muçi.

Ndërkohë, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi në një video paralele jashtë Komisariatit nr. 1 se policia kishte arrestuar 11 protestues.

“Disa janë dhunuar fizikisht, kanë shenjat e dhunës në trup,” deklaroi Shehaj. “Janë të rinj dhe të reja që janë ndaluar thjesht sepse protestonin kundër qeverisë së korruptuar, kundër Edi Ramës, sepse duan politikanët e korruptuar përpara drejtësisë,” theksoi ai, ndërsa shtoi se protesta vazhdon pavarësisht dhunës së policisë.

Kritikave ndaj ndërhyrjes së policisë iu bashkua edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi arrestimin e protestuesve si përpjekje të qeverisë për të frikësuar kundërshtarët e saj.

“95 ditë protestë. 95 ditë rezistencë. Dhe përgjigjja e qeverisë? Dhunë dhe polici! Kur një pushtet nuk ka më argumente, përdor forcën. Kur nuk dëgjon më qytetarët, përpiqet t’i trembë. Por qytetarët nuk tremben. Një protestë nuk tërhiqet zvarrë. Një e drejtë nuk arrestohet. Një popull nuk heshtet me dhunë,” shkroi Bardhi në Facebook.

Ai e cilësoi ndërhyrjen si “keqpërdorim të Policisë së Shtetit” dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve.

“Dënoj me forcë keqpërdorimin e Policisë së Shtetit, dhunën ndaj protestuesve dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të 14 protestuesve të arrestuar padrejtësisht,” shtoi Bardhi.

(Reporter)

Comment

*