Në Tiranë e Shkup kërkohet drejtësi për 11-vjeçaren e dhunuar në Prishtinë

Tiranë / Shkup, 31 guusht 2022 – Në kryeqytetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Tiranë e Shkup, të mërkurën është kërkuar drejtësi për vajzën 11-vjeçare, e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona më 27 gusht në Prishtinë.

Në këto dy qytete është protestuar edhe kundër rasteve tjera të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Nëpër protesta janë dëgjuar thirrjet “Mos më prek”, Vajzat janë krenaria e një kombi”, Ndëshko përdhunuesit”, Jo do të thotë Jo”, “Zero tolerancë ndaj dhunës”, “Pedofilët në burg të përjetshëm”, “Vajza nuk është pronë e askujt”, “Unë bërtitja jo”.

Pamje nga protesta në Tiranë.

Pamje nga protesta në Tiranë

Në Tiranë disa janë dëgjuar duke bërtitur “pesë burra, shtatë orë, 11 vjeç”.

Protestuesit kanë kërkuar ndryshime ligjore për të ndërmarrë masa të rrepta kundër dhunuesve, por edhe publikimin e emrave të tyre në opinion.

“Ne kërkojmë që shtetet të rrisin masat e mbrojtjes dhe sigurisë për vajzat dhe gratë dhe dënime më të ashpra kundër atyre që ushtrojnë forma të ndryshme të dhunës, legalizimin dhe shpërndarjen e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje, regjistër të pedofilëve, të respektohen konventat ndërkombëtare, me theks të veçantë ajo e Stambollit, trajnim të profesionistëve që punojnë me viktimat, rritje të ndërgjegjësimit për format e dhunës”, ka thënë aktivistja, Njomza Shaqiri në Shkup.

Pamje nga protestat në Shkup.

Pamje nga protestat në Shkup

Protestuesit gjithashtu kërkuan shërbime të specializuara për gjitha vajzat dhe gratë viktima të dhunës.

“Dhuna kundër një vajze, dhuna kundër një gruaje, është dhunë kundër të gjitha vajzave dhe grave”, thonë protestuesit. Apelojmë parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen, duke vetëdijesuar popullatën me reagime të formave zyrtare dhe jozyrtare”, ka thënë aktivistja Agnesa Çavolli në Shkup.

Autoritetet në Kosovë kanë caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji për pesë të dyshuarit e kryerjes së dhunimit.

Shoqëria civile dhe shumë qytetarë kanë shprehur mllef lidhur me këtë rast dhe më 30 e 31 gusht janë organizuar dy protesta në Prishtinë me kërkesa për mbrojtje të grave dhe luftim të dhunës ndaj tyre.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë për dhjetëra raste të dhunës seksuale, të raportuara çdo vit.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajza të moshës 13 deri në 16-vjeçare.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga 2 deri në 15 vjet burgim për

dhunime e sulmet tjera seksuale.

Raste të dhunës ndaj vajzave dhe grave janë regjistruar edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në Regjistrin e pedofilëve të Maqedonisë së Veriut, janë të regjistruar 294 persona të dënuar për veprën penale “abuzim seksual të të miturve dhe pedofili”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme këtë vit janë regjistruar dy raste të dhunës ndaj vajzave apo vepra të kryera kundër lirisë seksuale dhe moralit ndërsa në tre vjetët e fundit për këtë vepër janë ndaluar 95 persona.

(REL)