Në Turqi, opozita arrin fitoren më të madhe prejse është në pushtet Erdogani

Ankara, 1 prill 2024 – Partia kryesore opozitare e Turqisë ruajti kontrollin e saj mbi qytetet kyçe dhe bëri fitime të mëdha në qytete tjera në zgjedhjet lokale të së dielës duke shqetësuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i cili kishte vendosur të rimarrë kontrollin e atyre zonave urbane.

Me më shumë se 90 për qind të kutive të votimit të numëruara, kryebashkiaku aktual i Stambollit Ekrem Imamoglu, i Partisë Popullore Republikane, CHP, kryesonte me një diferencë të madhe në qytetin më të madh dhe qendrën ekonomike të Turqisë, rasportoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Mansur Yavas, kryebashkiaku i kryeqytetit, Ankara, mbajti vendin e tij me një diferencë mahnitëse prej 25 pikësh ndaj kundërshtarit të tij, treguan rezultatet.

Në përgjithësi, CHP fitoi bashkitë e 36 nga 81 provincat e Turqisë, sipas Anadolu, duke bërë një depërtim në shumë bastione të partisë së Erdoganit. Ajo fitoi 37% të votave në mbarë vendin, krahasuar me 36% për partinë e presidentit, duke shënuar fitoren më të madhe elektorale të CHP që kur Erdogan erdhi në pushtet dy dekada më parë.

Erdogan e humbjen zgjedhore në një fjalim të mbajtur nga ballkoni i pallatit presidencial, duke thënë se partia e tij kishte pësuar “një humbje lartësie” në të gjithë Turqinë.

Ai shtoi se njerëzit dhanë një “mesazh” që partia e tij do ta “analizojë duke u angazhuar në autokritikë të guximshme”.

“Fatkeqësisht, nëntë muaj pas fitores sonë në zgjedhjet e 28 majit, nuk mundëm të merrnim rezultatin që dëshironim në zgjedhjet lokale”, shtoi Erdogan. “Ne do të korrigjojmë gabimet tona dhe do t’i korrigjojmë të metat tona.”

Ai u zotua të vazhdojë përpara me një program ekonomik të prezantuar vitin e kaluar që synon të luftojë inflacionin.

Vota u pa si një barometër i popullaritetit të Erdoganit, pasi ai u përpoq të rifitonte kontrollin e zonave kryesore urbane që humbi ndaj opozitës në zgjedhjet pesë vjet më parë. Fitorja e CHP-së në Ankara dhe Stamboll në vitin 2019 kishte shkatërruar atmosferën e pathyeshmërisë së Erdoganit.

Fusha kryesore e betejës për presidentin 70-vjeçar turk ishte Stambolli, një qytet me 16 milionë banorë ku ai lindi dhe u rrit dhe ku filloi karrierën e tij politike si kryetar i komunës në vitin 1994.

Rezultati erdhi si një nxitje për opozitën, e cila mbeti e ndarë dhe e demoralizuar pas një disfate ndaj Erdoganit dhe Partisë së tij qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim, ose AKP, me orientim islamik, në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar.

“Votuesit vendosën një rend të ri politik në Turqi,” tha kreu i CHP-së, Ozgur Ozel para një turme mbështetësish të ngazëllyer. “Sot, votuesit vendosën të ndryshojnë tablonë 22-vjeçare në Turqi dhe të hapin derën e një klime të re politike në vendin tonë.

Një turmë e madhe, ndërkohë, u mblodh jashtë bashkisë së Ankarasë për të festuar fitoren e Yavas. “Ankaraja është krenare për ty!”, ishte mesazhi i mbështetësve.

Sinan Ulgen, drejtor i grupit të mendimit Edam me bazë në Stamboll, tha se “rezultati befasues” ishte për shkak të votuesve që donin të ndëshkonin partinë në pushtet për “thellësinë e një sëmundjeje ekonomike”.

Inflacioni në rritje ka bërë që shumë familje turke të luftojnë për të përballuar mallrat bazë.

Mbështetësit e AKP-së zgjodhën të qëndronin larg qendrave të votimit ose votuan për parti të tjera, tha Ulgen.

“Pjesëmarrja ishte relativisht e ulët në krahasim me zgjedhjet e kaluara,” tha ai. “Kishte ndryshime ndërpartiake në votime, të cilat nuk ndodhën në zgjedhjet kombëtare për shkak të lidhjeve më të forta ideologjike. Këtë herë ekonomia mbizotëroi mbi identitetin.”

Rreth 61 milionë njerëz, përfshirë më shumë se një milion votues për herë të parë, kishin të drejtë të votonin për të gjitha bashkitë metropolitane, kryebashkiakët e qyteteve dhe rretheve, si dhe administratat e lagjeve.

Pjesëmarrja ishte rreth 76 për qind, sipas agjencisë shtetërore Anadolu, krahasuar me 87 për qind vitin e kaluar.

Rreth 594,000 persona si personel sigurie ishin në detyrë në të gjithë vendin për të siguruar që votimi të shkonte pa probleme.

Megjithatë, një person u vra dhe 11 të tjerë u plagosën në qytetin e Dijarbakirit, ku një mosmarrëveshje për zgjedhjen e një administratori të lagjes u shndërrua në dhunë, njoftoi Agjencia shtetërore Anadolu.

Të paktën gjashtë persona u plagosën gjithashtu në luftimet që shpërthyen në provincën e afërt të Sanliurfa.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*