Në Uashington nënshkruhet marrëveshja mes MCC-së dhe Kosovës

Uashington, 27 korrik 2022 – Në Uashington sot u nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvejçarit (MCC) për Programin Kompakt me vlerë prej 236 milion dollarësh. Nga kjo shumë, 202 milionë dollarë do të sigurohen nga MCC, kurse rreth 35 milionë dollarë do të sigurohen nga Qeveria e Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright, në një ceremoni rasti që u zhvillua në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zonja Albright, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, tregoi se në fokus të programit është sektori i energjisë. 

“Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë për mbështetje të sektorit të energjisë. Energjia është kruciale për zhvillim”, tha ajo.

Zonja Albright shpjegoi se cilat do të jenë tri komponentat e programit të investimeve.

“Investimet do të jenë në energji, si në krijimin e baterive për depozitimin e energjisë dhe heqja e barrierave për përfshirje më të madhe të grave në biznes. Edhe Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 35 milionë dollarë. SHBA është shumë krenare për partneritetin me Kosovën në këto marrëveshje”, u shpreh zonja Albright.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë edhe Gregory Meeks, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve e zyrtarë të tjerë të lartë, si edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në, tha se ky investim do të kontribuojë në stabilitetin energjetikë dhe punësimin e grave në Kosovë.

“Kjo marrëveshje është dëshmi se ne jemi bashkë në kohëra të vështira e të bukura. SHBA vazhdon ta përkrahë Kosovën. Siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë. Ky investim në Kosovë ndoshta mund të kthehet në investimin më të mirë që do t’u mbetet gjeneratave. Kosova është e gatshme të mbështesë këtë rrugëtim për energji të pastër. Ky është investimi më i madh prej dekadash në vendin tonë që do të kontribuojë në stabilitetin energjetikë dhe punësimin e grave në vendin tonë. Gratë janë në qendër të kësaj iniciative për të fuqizuar sektorin e energjisë”, tha presidentja Osmani.

Ajo tha se SHBA vazhdon ta mbështesë Kosovën dhe shtoi se tani është koha të hartohen politika më të mira për t’u përballur me situatën energjetike.

Për rëndësinë e marrëveshjes me MCC-në foli edhe kryeministri Kurti, I cili e cilësoi këtë si moment historik për ekonominë e Kosovës.

“Kjo është një ditë historike për Kosovën në kuptimin e së ardhmes për një energji të pastër. Ky është një prej investimeve më të mëdha për vendin tonë. Ky bashkëpunim e vë Kosovën para zgjidhjeve inovative për energjinë’, tha Kurti.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen ne një moment të rëndësishëm për vendin tonë. Në fund të këtij viti do të lëshojmë ankandin e parë për prodhimin e energjisë solare. Jemi duke punuar për të garantuar për furnizim me energji për të gjithë”, shtoi ai.

Kurti tha se me MCC-në është punuar shumë edhe për identifikimin e burimeve potenciale për  prodhimin e energjisë së pastër.

“Strategjia jonë e energjisë e shkruan rrugën tonë drejt një të ardhmje të dekarbonizuar. Ky program kompakti është esencial. Jemi duke punuar intensivisht për të garantuar furnizim me energji për përballuar nevojat për të gjithë”,  tha Kurti.

Programi Kompakt për Kosovën i MCC-së synon të ndikojë në uljen e shkallës së varfërisë në Kosovë, përmes rritjes ekonomike.

(r.m.)