Nga Keze Kozeta Zylo
Fillimi i shkollave shqipe çdo shtator nëpër New York dhe në Online natyrshëm ka vështiresitë e veta për pajisjen e nxënësve me librat e abetares, gjuhës shqipe dhe lëndëve të tjera plotësuese. Ky merak i madh sidomos për themeluesit dhe mësuesit shpesh herë është gërryes, por kur je këmbëngulës dhe durues gjithmonë ka një zgjidhje. Sot e filluan pa zbardhur dita në ditën e Veteranëve që ishte dhe pushim për shkollat publike duke udhëtuar nga Nju Jorku drejt Ambasadës shqiptare në Washington për të marrë librat shqip. Diplomati Shandro kishte kohë që ishte bashkuar me merakun tonë dhe e ftoi zyrtarisht z.Qemal Zylo themeluesin dhe drejtorin e shkollave shqipe për të marrë librat e Gjuhës 1-2-3. Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Washington Floreta Faber i dorëzoi librat dhe i uroi punë të mbarë në këtë mision kombëtar.
Z. Zylo ishte i shoqëruar nga z.Enes Basha i cili i është bashkuar këtë vit këtij programi serioz dhe me dëshirën e madhe shkuan së bashku për të tërhequr librat. Ruajtja e gjuhës shqipe është një detyrë emergjente në Diasporë. Mbajtja gjallë e saj ndër shekuj ka kërkuar sakrifica, gjak, luftë dhe patriotizëm të pashoq. Një prej tyre ka qenë mësues Dhaskal Todri, një patriot, i cili kishte ardhur nga jashtë shtetit, kishte lënë gjithë pasurinë e tij për të sjellë në Shqiperi një ngarkesë me shkronja tunxhi dhe krijimin e shtypshkronjës së parë. Me kthimin e tij në Atdhe, armiqtë e tij nuk ishin të kënaqur. Karvanxhiu i thjeshtë që e shoqëronte ngarkesën nuk arrin ta kuptojë dot patriotin, se përse kishte kaq shumë vlerë e gjithë kjo. Mësues Todri nuk pati mundësinë të arrijë në vendlindje pasi armiqtë e gjuhës shqipe e vrasin mësuesin patriot.
Prandaj kushdo që i bashkohet këtij misioni ka bekimin e Martirëve, të parëve tanë, bekimin e nxënësve dhe të prindërve të shumtë të Alba Life, e cila ka mbi 15 vjet që është hapur dhe rritet për cdo vit pa u ndalur, pa u shkëputur qoftë dhe një ditë nga ky mision.
Në faqen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Washington për këtë vizitë shkruhet:
“Vijojmë shpërndarjen e teksteve shkollore për klasat e gjuhës shqipe në SHBA.
Ambasadorja Faber kishte kënaqësi të veçantë të takohej sot me z. Qemal Zylo, president i shkollës shqipe “Alba Life”, në New York.
Në një takim të ngrohtë dhe miqësor ajo i dorëzoi mbi 300 tekste shkollore në ndihmë të programit të klasave shqipe të të gjitha niveleve, për shkollat shqipe në Staten Island, Bronx, Queens dhe Brooklin të Nju Jorkut.
Gjatë takimit ata diskutuam mbi interesin e shtuar të prindërve në procesin e regjistrimit në programet e gjuhës shqipe, duke u ndalur në sfidat dhe prioritetet me të cilat përballen drejtuesit dhe stafi akademik këtë vit shkollor.
Ambasadorja falënderoi z. Zylo për punën e palodhur në komunitetin shqiptar në SHBA në ruajtjen e gjuhës dhe vlerave tona kombëtare”.
Në emër të stafit, mësuesëve, prindërve dhe nxënësve ju shprehim mirënjohjen tonë Ambasadore Faber! Faleminderit Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington Floreta Faber për mikpritjen në zyrat tuaja me Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit. Ju gjithmonë e keni mbështetur këtë Mision Kombëtar me plot kulturë dhe mirësi dhe ne ju jemi mirënjohës. T’ju mësosh fëmijëve në Diasporë Gjuhën Shqipe është detyrë sa e bukur po aq dhe e vështirë, dhe kjo vështirësi më shumë për shkak të largësisë të shpërndarjes së abetareve. Sidoqofte ka qenë një ditë e florinjtë ngase mbajtja e tyre në duar nga Ambasadorja Faber, Qemali dhe Enesi anëtar i stafit dhe shpërndarja që do të bëhet tek nxënësit e ndriçojnë dhe më shumë këtë takim të bukur.
Mirënjohje gjithmonë!
11 Nëntor, 2022
New York