Në veri të Kosovës, thirrje kundër vendimit të qeverisë për targat dhe për dokumentet

Prishtinë, 30 korrik 2022 – Serbëve të Kosovës u bëhet thirrje të mos respektojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për pajisjen me një dokument hyrje-daljeje të Kosovës që zëvendëson dokumentet personale të lëshuara në Serbi si edhe për regjistrimin e automjeteve të regjistruara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe zëvendësimin e targave jolegale me targa legale të Republikës së Kosovës.

Në disa vende publike në katër komunat të banuara me shumicë serbe, në pjesën veriore të Kosovës, janë vendosur pankarta që u bëjnë thirrje serbëve të mos pranojnë që qarkullojnë me dokument me stemën e Republiës të Kosovës, por me letërnjoftime të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe as të mos i zëvendësojnë targat jolegale të automjeteve (me akronimet e qyteteve të Kosovës) me targa legale, me akronimin RKS (Republika e Kosovës).

Në krye të pankartavave, me shkronja të mëdha, shkruan: “Nuk ka dorëzim! Letërnjoftimi serb mbetet” dhe “Nuk ka dorëzim! KM mbetet”.

Në pankartën për dokumentet e identifikimit, fotoja e dokumentit me stemën e Republikës së Kosovës, ku shkruan “Dokumenti për hyrje-dalje për serbët”, është shenjuar një “X” me ngjyrë të kuqe, kurse fotoja e letërnjoftimit të lëshuar me Serbi është shenjuar me një “tik” me ngjyrë të gjelbërt.

Ndërkaq, në pankartën për targat e automjeteve, fotoja e targave legale të Kosovës, me akronimin RKS, është shenjuar me “X” me ngjyrë të kuqe, kurse targa jolegale me akronimin KM (Kosovska Mitrovica) ështe shenjuar me “tik” me ngjyrë të gelbërt.

Në prapavijë të të dyja pankartave është vendosur harta e Kosovës, me stemën e Serbisë, që përcjell parullën e njohur të udhëheqjes shtetërore dhe të qarqeve nacionaliste të Serbisë “Kosova është Serbi”.

Këto pankarta janë vendosur në disa hapësira publike, dy ditë para fillimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për pajisje me dokument të përkohshëm për hyrje/dalje dhe për lëvizje në Kosovë të personave me dokumente personale identifikimi të Serbisë dhe për regjistrimin në Kosovë dhe pajisjen me targa legale të Kosovës (me akronimin RKS) të automjeteve të serbëve të Kosovës të regjistruara në Serbi, me targa me akronimet e qyteteve të Kosovës: KM (Mitrovica), PR (Prishtinë), PZ (Prizren) GL (Gjilan), UR (Ferizaj), PE (Pejë) dhe DJ (Gjakovë).

Fushata kundër zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për dokumentet personale të identifikimit dhe për targat ka nisur menjëherë pas marrjes së tij. Autoritetet e Serbisë, përfshirë Presidentin Aleksandar Vuçiq, e kanë cilësuar vendimin si sulm ndaj serbëve të Kosovës. Sikurse edhe në raste të tjera kur cenohen strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia “do ta mbrojëë popullin e saj në Kosovë e Metohi”.

Ai i ka akuzuar edhe vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë) për mbështetjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Serbëve në pjesën veriore të Kosovës u janë përcjellë në forma tëndryshme mesazhe e thirrje për të kundërshtuar vendimiet e Qeverisë së Kosovës. Më 13 korrik, në Mitrovicën e Veriut, targat e automjeteve me stemën e Kosovës me akronimin RKS janë mbuluar me targa letre me stemën e Serbisë e me akronimin KM, çfarë lëshohen në Serbi. Disa ditë më pas, në automjete u vendosën fletushka me thirrjen “Nuk ka dorëzim, KM mbetet”. Këto veprime janë cilësuar si formë presioni edhe nga vetë qytetarët serbë.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, qytetarët që posedojnë dokumente personale identifikimi të lëshuara në Serbi, me rastin e hyrjes në Kosovë, pajisen me një dokument të përkohshëm që shërbën për legjitimim gjatë hyrje/daljes dhe qëndrimit në Kosovë. Ky vendim bazohet në një marrëveshje të arritur në vitin 2011, në Bruksel, në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Serbia e aplikon prej atëherë praktikën e pajisjes me document të përkohshëm identifikimi të shtetasve të Kosovës me dokumente personale identifikimi me simbolet e shtetit të Kosovës, ndërsa Kosova nuk e kishte aplikuar këtë praktikë për shtetasit e Serbisë me dokumente  personale  identifikimi të lëshuara në Serbi.  

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me regjistrimin dhe targat e automjeteve, qytetarët që kanë automjete të regjistruara në Serbi, me targa jolegale në Kosovë, obligohen t’i regjistrojnë ato dhe t’i pajisin me targa legale të Kosovës, prej 1 gushtit deri më 30 shtator. Ky vendim vlen për të gjitha automjetet e regjistruara në sistemin serb prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Edhe ky vendim bazohet në marrëveshjen për qarkullim midis Kosovës e serbisë, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel. Sipas marrëveshjes, simbolet shtetërore dhe akronimet e shteteve të Kosovës dhe të Serbisë, do të mbuloheshin me letra ngjitëse në vendkalimet kufitare, në hyrje. Por, kjo praktikë ishte zbatuar vetëm nga Serbia, deri në shtator të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi të mbulohen me letra ngjitëse simbolet shtetërore dhe akronimi i Republikës së Serbisë.

Ky vendim pat shkaktuar tensione midis Kosovës dhe Serbisë. Grupe të qytetarëve serbë, të nxitura nga struktura paralele të Serbisë në Kosovë dhe nga grupe radikale serbe, patën bllokuar dy javë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në veri-perëndim të Kosovës, në Jarinjë dhe në Bërnjakë. Tensionet qenë ulur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe palët qenë pajtuar që simbolet shtetërore të targave të mbulohen me letra ngjitëse, si zgjidhje e përkohshme. Afati i kësaj marrëveshjeje të përkoshme ka skaduar 6 muaj më vonë, por palët nuk kanë arritur ende një zgjidhje afatgjatë.

(r.m.)