Në veri të Kosovës zbulohet një punishte armësh, arrestohet një i dyshuar

Prishtinë, 7 maj 2025 – Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe ka arrestuar një të dyshuar për importin dhe eksportim të armëve, gjatë një bastisjeje në disa lokacione në veri të Kosovës, njoftoi të mërkurën Prokuroria e Kosovës.

Në njoftim thuhet se policia ka gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut, e banuar me shumicë serbe, ku sekuestroi “sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve, makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë”.

Bastisjet janë kryer nga Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe nga Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, me urdhër të gjykatës.

I dyshuari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është dërguar në mbajtje dhe akuzohet për disa vepra penale, përfshirë importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve, apo materieve plasëse, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Autoritetet e sigurisë nuk dhanë më shumë hollësi në lidhje me atë se nga cilat vende apo se në cilat vendet mund të ketë importuar dhe eksportuar armë i dyshuari.

Në të kaluarën, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar armatim kohë pas kohe, veçanërisht në veri të vendit.

Më mars, autoritetet i arrestuan 16 të dyshuar, përfshirë një zyrtar policor, për kontrabandë me armë gjatë një operacioni të gjerë policor në jug dhe veri të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, kishte konfirmuar se në mesin e të arrestuarve ishte dhe një zyrtar policor.

(r.m.)

Comment

*