Në Vjenë e humbin jetën 4 punëtorë ndërtimi, tre shqiptarë dhe një boshnjak

Vjenë, 17 mars 2026 – Katër punëtorë të ndërtimit e kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë në një aksident të rëndë që ka ndodhur të martën, në një kantier ndërtimi në Vjenë të Austrisë.

Albinfo raporton se tre nga viktimat janë shqiptarë nga Kosova, kurse viktima e katërt është shtetas boshnjak. I plagosuri është me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Tre kosovarët e ndjerë janë identifikuar. Ata janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në distriktin e nëntë të Vjenës, në rrugën Porzellangasse, kur skelat janë shembur papritur gjatë punimeve në oborrin e një ndërtese banimi. Si pasojë, punëtorët që ndodheshin në vendin e punës janë zënë poshtë nga strukturat e rrëzuara të skelave.

Në vendin e ngjarjes kanë arritur menjëherë ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit dhe policia, të cilat kanë punuar për nxjerrjen e të bllokuarve dhe sigurimin e zonës.

Pavarësisht reagimit të shpejtë të ekipeve të emergjencës, katër prej tyre nuk janë shpëtuar dhe janë shpallur të vdekur në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, një punëtor rreth 45 vjeç është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas një operacioni të vështirë shpëtimi, pasi ishte i bllokuar nën strukturat e shembura. Ai është transportuar me urgjencë në spital, në gjendje të rëndë. Ai ka pësuar lëndime në kokë, në shtyllën kurrizore dhe në krahë.

Autoritetet kanë filluar hetimet për identifikimin e plotë të viktimave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

(r.m.)