Në Xhorxhia përfundon hetimi ndaj ish-presidentit Trump, e paqartë nëse do të ngrihen akuza 

Uashington, 9 janar 2023 – Një juri e posaçme e shtetit të Xhorxhias që po hetonte nëse ish-presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij kërkuan në mënyrë të paligjshme të ndërhynin në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2020, ka përfunduar raportin e saj për këtë çështje. Lajmi u bë i ditur nga depozitimi i një dosjeje gjyqësore të hënën, por është ende e paqartë nëse do të ngrihen akuza penale.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Robert McBurney shpërndau jurinë tani që puna ka përfunduar dhe caktoi një seancë më 24 janar për të përcaktuar nëse raporti do të bëhet publik. Anëtarët e jurisë rekomanduan që gjetjet e tyre të publikoheshin, tha zoti McBurney në vendimin e tij.

Juria e posaçme, e cila u mblodh me kërkesë të Prokurores së Qarkut Fulton, Fani Willis, nuk e kishte të drejtën për të ngritur aktakuza. Zonja Willis përfundimisht do të vendosë nëse do të ngrejë akuza kundër ish- presidentit Trump apo personave të tjerë, megjithëse raporti i jurisë mund të përfshijë rekomandime.

Një zëdhënës i zyrës së zonjës Willis nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Prokurorja Willis nisi hetimin penal menjëherë pas një telefonate të janarit 2021, në të cilën zoti Trump u kërkoi zyrtarëve të lartë të zgjedhjeve që të “gjenin” vota të mjaftueshme për të përmbysur fitoren mbarëkombëtare të demokratit Joe Biden.

Juria dëgjoi dëshmi nga zyrtarë të shumtë shtetërorë, përfshirë guvernatorin e Xhorxhias, Brad Raffensperger dhe këshilltarët kryesorë të zotit Trump, senatori amerikan Lindsey Graham dhe avokati Rudy Giuliani.

Prokurorët i kanë thënë zotit Giuliani se ai është në shënjestër të hetimeve dhe mund të përballet me akuza penale. Aleatët e ish- presidentit Trump janë hetuar pasi gjatë procesit të Kolegjit Zgjedhor që konfirmon rezultatin e zgjedhjeve presidenciale kanë mbështetur emërimin e zgjedhësve alternativë në përpjekje për t’i dhënë votat elektorale të Xhorxhias zotit Trumpit, në vend të Joe Bidenit.

Hetimi është një nga disa çështjet civile dhe penale me të cilat përballet ish-presidenti Trump dhe rrethi i tij i ngushtë.

(Zëri i Amerikës)