Në zonën e Ujit të Ftohtë, sekuestrohet prona me vlerë 1.2 milionë euro

Tiranë, 5 nëntor 2022 – Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar këtë të premte një tjetër pronë të dyshuar se është përvetësuar me dokumente të falsifikuara. Sipas njoftimit të prokurorisë bëhet fjalë për një pronë 3996 m2 në Vlorë.

Sipas njoftimit të prokurorisë hetimet kanë filluar pas një kallëzimi të një personi që pretendon pronësi të 300 metra katrorë tokë brenda sipërfaqes së sekuestruar.

Prokuroria bëri me dije se dokumenti i origjinës mbi bazën e të cilit personat e kallëzuar kanë fituar pronësinë mbi pasurinë e mësipërme, një “notë e transkriptimit” e vitit 1942 nuk ekziston, por është falsifikuar.

Sipas argumentimit të akuzës , mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara.

“Krahas falsifikimit të këtij dokumenti, rezultoi e provuar se pas vendimeve gjyqësore që kanë vendosur njohjen dhe kthimin e pronës, pasuria është regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme pranë ASHK Vlorë, me nr.43/189/1 pasurie, zk.8602, vol.95, faqe 247, me sipërfaqe prej 3996,5m2. Më tej mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria po ashtu njoftoi procedim penal ndaj A.Dh që dyshohet se nëpërmjet një vendimi gjykate të vitit 2010 ka regjistruar pronën në fjalë në emër të  tij në kadastër. Ai akuzohet për “falsifikim” dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Prokuroria pretendon se vlera e pronës së sekuestruar është 1.2 milionë euro. Ky rast sekuestrimi vjen pas thellimit të hetimit për pronat në zonën e Himarës, për të cilat në dy faza hetimore u arrestuan 30 persona dhe u sekuestruan prona me vlerë 8 milionë euro.

(Reporter.al)