Në Zubin Potok arrestohet një person i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme

Prishtinë, 10 dhjetor 2023 – Një person është arrestuar nën dyshimin se ia vuri flakën qëllimisht një lokalit në qytetin verior të Kosovës, Zubin Potok, të shtunën mbrëma, njoftoi Policia e Kosovës.

Policia tha të dielën se i dyshuari u arrestua të dielën, në orët e hershme të mëngjesit dhe kështu u parandalua qëllimi i tij që t’ia vinte zjarrin edhe shtëpisë së pronarit të lokalit të djegur, në rrugën “Kolashinski Knjezevi” në Zubin Potok.

“Policia e Kosovës me datë 09.12.2023, rreth orës 23:00, është njoftuar se në afërsi të Kuvendit Komunal në Zubin Potok një lokal ka marrë flakë dhe është duke u djegur. Sipas informacioneve fillestare, hetimeve preliminare policore dhe dëshmive të gjetura nga policia në vendin e ngjarjes, dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimshëm”, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas policisë, dyshohet se motivet e zjarrvënie se burojnë nga një mosmarrëveshje familjare.

“Dyshohet se i dyshuari këto veprime i ka marrë ndaj pronave të familjes së gruas së tij, si pasojë e një mosmarrëveshje paraprake me gruan, pasi që kjo e fundit ishte larguar nga shtëpia dhe kishte shkuar që të jetojë në familjen e vet”, thuhet në njoftim.

Policia tha se zjarri u lokalizua fillimisht nga zyrtarët policorë që gjendeshin në sigurim të objektit të komunës së Zubin Potokut, së bashku me pronarin e lokalit, derisa në vendin e ngjarjes doli njësia e zjarrfikësve.

Sipas njoftimit, zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Te i dyshuari tashmë i arrestuar janë gjetur e konfiskuar një shishe plastike me benzinë, e modifikuar si koktej molotovi, dhe dy shkrepëse për ndezje të zjarrit.

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur një uniformë ushtarake, një radiolidhje dhe 22 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Identiteti i të arrestuarit nuk është publikuar nga policia.

 (r.m.)