Në Zveçan gjendet sasi e madhe armësh, ministri Sveçla tha se armët u gjetën në prone të  Arsenijeviqit

Prishtinë, 22 qershor 2025 – Policia e Kosovës njoftoi të dielën se në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit ka gjetur e sekuestruar sasi të madhe armësh dhe municioni.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në një stallë kuajsh janë gjetur armë, municione kalibrash të ndryshme, granata dore dhe raketahedhës.

“Pas pranimit të informacionit se në një lokacion të caktuar ka mundësi që të ketë armë, Policia e Kosovës ka reaguar dhe gjatë bastisjes në fshatin Vallaq, Komuna Zveçan, në një shtallë të kuajve kemi hasur  në një sasi të madhe armatimi. Armët, municioni, granatat e dorës dhe Zollat janë gjetur në dy gypa të plastikës të vendosur nën tokë”, ka thënë Elshani.

Ai tha se bastisja është kryer nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, me monitorimin e KFOR-it dhe EULEX-it

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se armët janë gjetur në një objekt që i përket udhëheqësit të partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq.

“Sot, njësitet relevante të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI dhe prokurorinë me monitorim nga KFOR dhe Eulex, kanë realizuar një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblonë, armë dhe municion i llojeve të ndryshme. Një arsenal i tërë i mjaftueshëm për një njësit terrorist. Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit Aleksandar Arsenijevic”, shkroi ai në Facebook.

Sveçla tha se me zbulimin e këtij armatimi është goditur “një strukturë që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin” e Kosovës. Ai theksoi se institucionet e sigurisë së Kosovës “punojnë pa ndalur në ofrimin e sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit anembanë Kosovës.

“Sot kemi goditur një strukturë që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë. Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh – veçanërisht përballë institucioneve vigjilente dhe profesionale që punojnë pa ndalur në ofrimin e sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla.

Ai theksoi se institucionet e sigurisë në Kosovë do të vazhdojnë operacionet e tyre pa kompromis, me qëllim të çrrënjosjes së, siç tha, “të gjitha mbetjeve kriminale dhe terroriste që vijnë nga strukturat e Serbisë”.

“Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Veçanërisht përballë institucioneve tejet vigjilente e profesionale që po punojnë pa u ndalur në ofrimin e sigurisë e sundimit të rendit e ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Nuk do të ndalemi derisa në çrrënjosjen e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste të Serbisë nga vendi ynë”, theksoi ai.

Sveçla e ka publikuar edhe një videoregjistrim ku shihet se armatimi ishte fshehur në tuba plastike të mbuluar me dhe. Bashkë me armët ishte fshehur edhe një flamur i Rusisë.

Gjatë bastitjeve të kryera në disa lokacione në pjesën veriore të Kosovës, të kryera pas sulmit të grupit të serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit 2023, institucionet e sigurisë së Kosovës kanë gjetur armë, municione dhe pajisje të ndryshme luftarake. Gjatë një aksioni të kryer në Mitrovicën Veriore në muajin maj, institucionet e sigurisë e zbuluan edhe një punishte të armëve.

Qeveria e Kosovës e akuzon Beogradin zyrtar për nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së strukturave paralele serbe kundër sovranitetit, intagritetit territorial të Kosovës. Ajo kërkon vazhdimisht që Beogradi të dorëzojë udhëheqësin e deklaruar të grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë, Millan Radojçiq, si edhe të të gjithë të akuzuarve lidhur me këtë sulm.

(r.m.)