Prishtinë, 25 janar 2024 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të enjten është hequr një bilbord me fotografitë e politikanëve e personaliteteve të tjera serbe dhe ruse, i cili ishte i vendosur në Zveçan, në pjesën veriore të Kosovës.
Në atë bildord ishin të vendosura fotografitë e personave të cilët ishin shpallur “qytetarë nderi” në komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe. Në mesin e tyre ishin edhe fotografitë e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Ministri Sveçla, në njoftimin e tij, ka thënë se “simbolet dhe imazhet e diktatorëve dhe agresorëve” janë të papranueshme në Kosovë.
“Sot në Zveçan janë larguar bilbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë. Këto bilborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”, ka thënë ai.
(r.m.)