Në Zveçan, në pjesën veriore të Kosovës, zbulohet sasi e madhe armatimi

Prishtinë, 5 shtator 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në Zveçan, në pjesën veriore të Kosovës, të martën.

Sveçla ka bërë të ditur se armatimi është gjetur gjatë bastisjes së një shtëpie, e cila, sipas tij, përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”.

“Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, ka njoftuar Sveçla.

Ai ka lavdëruar aksionin policor, duke premtuar se rendi dhe lgji do të vendoset në çdo cepp  të Kosovës.

“Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës”, ka theksuar ai.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha para gazetarëve se policia ka arritur të gjeje katër pushkë automatike, karikatorë, eksplozivë, granata dore, municion dhe gjëra të tjera.

“Policia e Kosovës pas pranimit të një informate nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, ka zhvilluar një bastisje në ‘Korile e poshtme’ në Zveçan, me c’rast gjatë bastisjes kemi hasur në armë dhe municion. Aty janë gjetur katër pushkë automatike, karikatorë, eksplozivë, granata dore, municion dhe gjëra të tjera. Policia e Kosovës vazhdon të jetë e dedikuar për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike në mbarë territorin e Kosovës dhe në veçanti në veriun e saj. Duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve, atëherë del se ky vend ka mundësi të jetë edhe depo. Ne nuk kemi të arrestuar për momentin, por kemi persona të dyshimtë. Në mesin e armëve dhe municionit që ju i patë kishte edhe kallashnikov dhe municion 5X56, që i bie kalibër i NATO-s, e që është një rast interesant për t’u hetuar. Në pjesën veriore të Kosovës situate është e qetë, stabile, por delikate, duke marrë parasysh edhe zhvillimet politike të cilat po zhvillohen në vend”, ka thënë Elshani.

Kohët e fundit, në pjesën veriore të Kosovës janë kryer disa aksione policore që kanë rezultuar me zbulimin e veprimtarive të ndryshme kriminale dhe gjetjen e konfiskimin e sasive të konsidrrueshme të  armatimit, të lëndëve narkotike dhe mallrave të kontrabanduara.

Rasti i fundit ishte në gusht, kur Policia e Kosovës kishte konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.

Përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet policore kanë kryer në veri edhe aksione kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.

May be an image of tool bagMay be an image of textNo photo description available.May be an image of book and textMay be an image of turtle and textMay be an image of textNo photo description available.

(r.m.)