Nëna e Navalnyt thotë se po i reziston trysnisë për varrim sekret të të birit

Moskë, 22 shkurt 2024 – Nëna e udhëheqësit kryesor të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq në një burg rus, tha të enjten se e ka parë trupin e djalit të saj dhe se po i reziston trysnisë së fortë të autoriteteve për një varrim të fshehtë, jashtë syve të publikut.

Në një deklaratë me video nga qyteti Salekhard në Rrethin Arktik, zonja Lyudmila Navalnaya tha se hetuesit e lejuan atë që të shihte trupin e djalit të saj në morgun e qytetit. Ajo tha se e kishte përsëritur kërkesën për t’i dhënë trupin e djalit të saj të vdekur dhe protestoi ndaj asaj që e cilësoi si presion të autoriteteve për ta detyruar atë të binte dakord për një varrim të fshehtë.

“Ata po më shantazhojnë, po vendosin kushte se ku, kur dhe si të varroset djali im”, tha ajo. “Ata duan ta bëjnë fshehurazi, pa një ceremoni mortore”.

Kira Yarmysh, zëdhënëse e udhëheqësit Navalny, u shpreh në rrjetin X se autoritetet i treguan nënës së tij një certifikatë mjekësore që thoshte se politikani 47-vjeçar vdiq për “shkaqe natyrore”. Zonja Yarmysh nuk specifikoi se cilat ishin ato.

Alexei Navalny, politikani më i njohur i opozitës ruse, vdiq papritur në një burg rus javën e kaluar. Vdekja e tij nxiti qindra rusë në të gjithë vendin që të organizonin përkujtimore të improvizuara me lule dhe qirinj.

Autoritetet ruse arrestuan shumë prej tyre ndërsa përpiqen të shtypin mbështetjen ndaj armikut të madh politik të Presidentit Vladimir Putin në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku ai e ka të sigurte fitoren.

Nëna e Navalny-it ka ngritur padi në gjykatën e qytetit Salekhard lidhur me refuzimin e zyrtarëve për t’i dhënë asaj trupin e djalit të saj të vdekur. Ajo i bëri thirrje Presidentit Putin të martën që ta lironte trupin e djalit të saj që ajo ta varroste me dinjitet.

(Zëri i Amerikës)