Dhjetë të lënduar nga shpërthimi i një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren

Prishtinë, 22 nëntor 2023 – Dhjetë persona kanë pësuar lëndime pas shpërthimit të një granate dore në tregun e kafshëve në Prizren, të mërkurë në orët e hershme të mëngjesit. Tv Prizreni ka raportuar se granata është aktivizuar pas përplasjes midis dy dy palëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë se janë identifikuar tre persona të dyshuar lidhur me shpërthimin dhe janë në kërkim të policisë.

“Sot me datë 22.11.2023, rreth orës 04:50, Policia ka pranuar informatë për një rast plagosje te tregu i kafshëve në Prizren. Nga informatat e para dyshohet se 9 persona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granate dore. Të gjithë të lënduarit janë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit duke marrë trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre te dyshuar janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, ka thënë Gashi.

Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Vezgishi, ka thënë se në këtë repart kanë kërkuar ndihmë dhjetë persona. Pesë prej tyre janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ndërsa të tjerët janë liruar në shtëpi pas marrjes së ndihmës.

“Fillimisht kanë ardhur nëntë persona. Më pas, ka ardhur edhe një. Katër prej tyre janë liruar, pesë janë dërguar në QKUK pasi kanë pas lëndime që s’trajtohen në Spitalin tonë”, ka thënë Vezgishi.

Burime brenda Policisë së Kosovës në Prizren kanë thënë se të dyshuarit për hedhjen e granatës, tashmë në kërkim të policisë, janë nga komuna e Gjilanit, ndërsa shumica e të plagosurve janë nga komuna e Podujevës. Por, numri i personave të përfshirë në konflikt nuk është konstatuar ende.

Motivet e konfliktit midis dy palëve mbeten ende të panjohura.

(r.m.)