Nga Azem Parllaku
Kush do të marrë pushkën e të luftojë? Si do të moralizojnë “Komandantët/matrapazë”? Po Kukësi, Tropoja e Hasi, si do të sillen pas 18-viteve! Nga ku do të “postojnë” mesazhet Qosja, Thaçi, Majko, Berisha, Rama, e Kodheli.
Për shkak të veçorive të pozitës gjeostrategjike, Ballkani ka mbetur, e kështu ka gjasë të mbetet si rajoni në fokusin e konfrontimeve midis fuqive të Perëndimit dhe Lindjes. Pavarësisht konfigurimit që do të ketë, ripërcaktimi i zonave gjeopolitike dhe gjeoekonomike midis deteve Adriatik, të Zi, Kaspik dhe Mesdheut Lindor, Ballkani paraqitet si një njësi e rëndësishme, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Rusia kanë interesa të mëdha.
Ballkani me shumë gjasë do të kthehet sërish në në vëmendjen e Diplomacisë Ndërkombëtare. Serbia provokoi me tren. Politikanë e opinionistë të Prishtinës dhe të Tiranës, përvijojnë me retorikat patriotike populiste.
17-vjet, pas eksodit me dhunë të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi kriminal i Sllobodan Millosheviçit, Bashkisë së Kukësit iu akordua dekorata Nderi i Kombit me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe mirënjohjeje të thellë për solidaritetin pakufi njerëzor, mikpritjen e rrallë dhe humanizmin e pashoq, të treguar ndaj motrave dhe vëllezërve shqiptarë nga Kosova, gjatë shpërnguljes së tyre masive me dhunë nga makineria e Millosheviçit në vitin 1999”.
Në nenin 7, pika 3 të ligjit nr. 112, datë 4.4.2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë” ligj ky në fuqi, i shpallur me dekretin nr. 8092, datë 8.4.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, thuhet: Dekorata “Nderi i kombit”, u jepet personaliteteve shqiptare që, me veprat dhe emrin e tyre, nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Edhe pse, dekorata u vendos në xhaketën e kryetarit të Bashkisë, ndërkohë që, ajo duhej të vendosej në Flamurin si simboli i qytetit, njëherësh dhe simboli i njësisë administrative, prapë bën që, moralisht çdo qytetar i Kukësit të ndjehet i nderuar.
Ndërsa, organizatorët e eventit e propaganduan atë event, fatkeqësisht nuk mundën dot, t’i japin asaj dite dimensionin e një ngjarje mbarëqytetase. Ajo çka ra në sy, ishte mungesa e protagonistëve të cilët e menaxhuan krizën e 17-viteve më parë.
Në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” në momentin e dorëzimit të dekoratës Presidenti i Republikës, u ftua të dorëzonte dekoratën e lartë i rrethuar nga individë të cilët, nuk i lidhte asgjë me krizën në fjalë, ose më saktë kishin bërë “asgjë” në atë kohë, madje ende si atëherë edhe në këtë ditë, shqiptarët e shtërnguar të Kosovës të cilët erdhën në Shqipëri për pak ditë, prapë i quajtën “refugjatë”.
Propozuesit e titullit, organizatorët e ceremonisë, këshilluesit e Nishanit, por edhe Presidenti vetë, duhet ta dinin që, së paku në marsin e vitit 1998 ishte Tropoja dhe Hasi që, e bënë sefte mikpritjen dhe bujarinë për qindra mijëra shqiptarët e Kosovës, shtëpitë e të cilëve i lanë në flakë. Pikërisht në këtë kohë, familjarët dhe të afërmit e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pritën kryesisht në Tropojë dhe Krumë, më vonë në Durrës dhe Tiranë.
Ndërsa vetëm në fundshtatorin e atij viti, në Kukës janë akomoduar të ardhurit e parë kryesisht në objektet çerdhe-kopshte të lagjeve nr.1 dhe 3, ndërkohë që, në shumë prej fshatrave të Tropojës dhe Hasit, fëmijët e ardhur nga zonat e luftës mësonin në të njejtat klasa me vendasit.
Duhet theksuar se, përgjatë këtij harku kohor përfaqësues të organizmave ndërkombëtare si: Kryqi i Kuq, UNHCR, etj, kanë qenë mjaftë aktive dhe, të përgatitura paraprakisht në lidhje me situatat e pritshme.
Fokusi kryesor i goditjes nga ana e strukturave militare të Serbisë, ka qenë i përqëndruar në zonën kufitare përgjatë segmentit Has-Tropojë, i nxitur nga fakti se përmes kësaj vije kufitare bëhej furnizimi logjistik i formacioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po kështu dhe ndërrimi i grupeve të luftimit dhe transporti i të plagosurve.
Natyrshëm që, burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët kaluan dhe vijonin të kalonin përmes Pikave të Kalimit kufitar Qafë-Morinë të Tropojës, e Qafë-Prushi të Hasit, ishin më të rënduar psikologjikisht, mbasi rrugët e lëvizjes kalonin përgjatë zonave, ku luftohej pandërprerë.
Në fund të janarit dhe fillim të shkurtit 1999, në Kukës arritën reporterët e parë të mediave perëndimore, të cilët informuan duke kontaktuar të ardhurit e mëhershëm dhe ata që, vinin rishtas. Që nga marsi i vitit 1998, në Kukës, njëherësh dhe qendër e Prefekturës, funksiononte zyra për pritjen dhe akomodimin e të ikurve nga lufta në Kosovë.
Me 27 mars 1999, jo në Kukës por në Krumë, ish-Presidenti Mejdani, ish-Kryeministri Majko, ish-ministrat Hajdaraga, Koci, e Demeti, kanë ndaluar në një takim me të dëbuarit si rezultat i luftimeve me armë në zona të tilla si Drenica, Peja e Gjakova, me përfaqësues lokalë të Hasit, përfaqësues të Kryqit të Kuq, të UNHCR-së, të OSBE-së, etj.
Në orët e vona të kësaj date nga zyra e ish-komandantit të njësisë ushtarake të Kukësit, është bërë me dije se: Drejt Pikës së Kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri të Morinë-Kukës, po mbërrijnë të ikurit e parë, kryesisht nga fshatrat përreth Prizrenit dhe rrethinave të Dragashit.
Në atë mbrëmje me shi, të ardhurit kanë gdhirë në sheshin përpara xhamisë së Kukësit, dhe sheshet përqark instuticioneve, teksa qyteti sot, “Nderi i Kombit”, ishte në gjumë.
Kontakti i parë njëherësh dhe përkujdesës për të ikurit, kanë qenë personeli ushtarak i përbërë nga forcat kufitare të rendit, dhe ato të repartit të gatshëm të Divizionit të Kukësit, i cili kryente detyrën ushtarake i dislokuar përgjatë shpateve përendimore të malit të Koretnikut deri në brigjet e lumit Drini i Bardhë.
Një njësi e artilerisë së rëndë e Divizionit ushtarak të Tiranës e dislokuar midis fshatrave Bardhoc dhe Morinë, ka vendosur në dispozicion automjetet e transportit të trupave, për zhvendosjen e të ikurve në drejtim të qytetit të Kukësit.
Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurve gjatë dy ditëve të para, përmes Televizionit të Kukësit, kanë njoftuar familjet me lidhje gjaku në këtë qytet dhe fshatrat e tij. Nëse i referohemi saktë atyre ditëve, po kështu dhe rrëfimeve të vetë shqiptarëve të Kosovës, del në pah se: Pjesa më e madhe e të ardhurve që, qëndruan në Kukës kishin lidhje fisnore me familjet e qytetit verior, ndërkohë që, shpresonin se një ditë do të ktheheshin sërish në shtëpitë dhe tokat e tyre.
Ka disa detaje interesante për këtë kategori e cila qëndroi në Kukës.
Së pari; Ata nuk vinin nga zona në të cilat ishin zhvilluar, apo zhvilloheshin luftime. Zonat nga po vinin ishin fshatrat përreth Prizrenit, apo ato të zonës së Opojës dhe Dragashit. Në këto zona, minimalisht, ishin goditur nga NATO, postat kufitare serbe përgjatë kufirit me Shqipërinë, ndërkohë që, nuk kishte të dhëna për përqëndrim forcash dhe rezervash ushtarake në këto rajone.
Së dyti; Edhe megjithëse me ndihmën e organizatave ndërkombëtare në rrethinat e Kukësit u ngritën disa kampe për akomodim, të ikurit u regjistruan formalisht, ndërsa e kanë ndarë ndihmën e përfituar me familjet kuksiane, ku bujtën për 79 ditë.
Së treti; Siç dhe e pohojnë pjesa dërrmuese e të shpërngulurve, të cilët qëndruan në Kukës, ndonëse nuk u është kërkuar hapur, ata kanë paguar qeranë për apartamentet e lëshuara.
Së katërti; Kontigjente të rinjsh dhe disa kryefamiljarë nga kjo kategori, u paraqitën si vullnetarë në Qendrat Stërvitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në Kukës, Kolsh, e Kalimash, ndërsa më vonë dezertuan në masë, e çuditërisht sot një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë fituar statusin e Veteranit Luftëtar, të lëshuar nga Komisioni Qeveritar i Kosovës.
Krejt ndryshe paraqitej situata me të ikurit të cilët refuzuan të qëndronin në Kukës. Ata vinin nga zona ku luftimet ishin të ashpra, shumë prej tyre e kishin kaluar dimrin jashtë, ndërsa vullnetarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin përkujdesur për sigurinë fizike të tyre. Shpresat për këtë kategori të shpërngulurish ishin më të pakta, mbasi shtëpitë e tyre ishin djegur, e burrat dhe djemtë më së shumti ishin nën armë. Ata synonin Durrësin, Vlorën, Shëngjinin, nga ku mendonin se nëpërmjet porteve të këtyre qyteteve bregdetare, do të largoheshin një ditë me shpresën se, do t’u bashkangjiteshin familjarëve të tyre në emigracion.
Situata e ndërlikuar që, paraqitej me të ikurit nga Kosova në drejtim të Maqedonisë, e shtoi fluksin e të ardhurve në Shqipëri, ndërsa në Kukës vetëm sa, bëhej rigrupimi në mënyrë të organizuar i kolonave të automjeteve ushtarake e civile, me të cilat bëhej transporti i të zhvendosurve nga lufta, për në qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në 79 ditë të Pranverës së vitit 1999, Kukësi sot, “Nderi i Kombit”, nuk ishte aspak më shumë se një qendër-tranzit për mijëra shqiptarët e Kosovës, një pjesë prej tyre jo fort të shtrënguar për të braktisur shtëpitë dhe fshatrat e tyre, duke mbajtur parasysh se tashmë, Lufta ishte në dorën e NATO-s, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tropoja dhe Hasi, të cilat, sot nuk janë “Nderi i Kombit”, përgjatë gjithë vitit 1998 dhe Pranverës së vitit 1999, pritën, përcollën dhe u përkujdesën për mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës. Kafshatën dhe odën që, ata malësorë ndanë me vëllezërit dhe motrat e tyre, ishte hise e një kohe më të vështirë dhe më të gjatë sigurisht.
Pse jo, edhe pasojat dhe dëmet e luftës së shqiptarëve me serbët në fundshekullin e kaluar, janë lehtësisht më të evidentuara në fshatrat dhe dy qytetet Bajram Curri dhe Krumë. Me dhjetëra shtëpi përgjatë kufirit me Kosovën në këto zona, janë ende të djegura, me dhjetëra viktima nga minat që, ushtria serbe mbolli në arat, pyjet dhe kullotat e këtyre katundeve, janë të regjistruara.
Shumë pranë me qytetin e Bajram Currit, pikërisht në Koshare, një rudinë është kthyer në vend pelegrinazhi në cdo mesmarsi, mbasi aty prehen dhjetëra dëshmorë të Kosovës, të cilët e deshën njëlloj çdo qytet të Shqipërisë.
Sikur ata të ishin gjallë me siguri do ta bojkotonin ceremoninë e dekorimit që i’u bë Kukësit, njëlloj si bënë bashkëfamiljarët dhe bashkëpatriotët e tyre. “I kemi delegatët, do t’i binin shkurt: Ata janë ikanakët e Zhurit, Dragashit dhe Opojës, le të festojnë bashkë me Kukësin, teksa për Ne, është i lehtë dheu i këtyre bjeshkëve”.