Nesër do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 10 shkurt 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka thirrur për nesër (e mërkurë) mbledhjen konstituive të Kuvenditt ë Kosovës.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se Presidentja Osmani e ka marrë këtë vendim pas konsdultimeve me shumicën e partive që përfaqësohen në Kuvend dhe duke e vlerësuar si çështje urgjente krijimin e institucioneve shtetërore të reja.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, seanca konstituive i ka katër pika të rendit të ditës: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e pesë nënkryetarëve.

Kryetari propozohet nga grupi më i madh parlamentar, ndërsa nënkryetarët propozohen nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend. Për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve është e nevojshme vota e së paku 61 deputetëve.

Sipas akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, një kandidat për pozitën e kryetarit dhe të nënkryetarëve mund të propozohet vetëm deri në tri herë.

Një ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 57 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike do t’i ketë 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ketë 15 ulëse, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë 6 ulëse ulëse.

Lista Serbe do t’i ketë 9 nga 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb, kurse ulësen e dhjetë të rezervuar për këtë komunitet e ka fituar Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë.

Dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetet pakicë joserbe do t’i mbajnë përfaqësuesit e nëntë subjekteve politike.

(r.m.)