Tiranë, 10 maj 2025 – Këtë të die, më 11 maj, shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur kush do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme.
Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare që nga rënia e regjimit komunist të Enver Hoxhës në vitin 1991.
Të drejtën e votës për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, e kanë 3 milionë e 713 mijë e 761 shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, nga të cilët 114 mijë e 642 janë të rinj do të votojnë për herë të parë.
Të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale e kanë edhe 3 mijë e 27 persona të dënuar dhe të paraburgosur. Për herë të parë në këto zgjedhje u bë e mundur edhe përfshirja e emigrantëve shqiptarë në këtë proces zgjedhor.
Ata ushtruan të drejtën e votës përmes postës nga shteti ku kanë vendqëndrimin, ndërsa rezulton se nga diaspora ishin 245 mijë e 935 emigrantë të regjistruar. Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, votimi dhe numërimi elektronik do të jetë në të gjitha qendrat e votimit të Njësisë nr. 10 në Tiranë dhe të bashkisë së Vorës.
Në garë janë 11 subjekte apo koalicione politike që garojnë për të fituar shumicën e ulëseve në Parlament, në një formulë të re zgjedhore.
Sistemi është proporcional rajonal me lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të Komisionit Qendror Zgjedhor, ku 46 prej kandidatëve janë nga lista e mbyllur. Parashikimet janë që nga listat e hapura të deputetëve të dalin nga 25 deri në 32 deputetë. Zona zgjedhore i korrespondon ndarjes administrativo-territoriale të qarkut, ndërsa në total janë 12 zona zgjedhore, numër ky që i përgjigjet 12 qarqeve në organizimin vendor territorial. Numri i mandateve të deputetëve që prodhon një zonë zgjedhore varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.
Në Fier pritet të zgjidhen 16 deputetë, në Durrës dhe Elbasan, nga 14 deputetë secili qark, në Vlorë 12, në Shkodër 11; në Korçë, 10; në Lezhë dhe Berat nga 7 deputetë; në Dibër, 5; në Gjirokastër 4 mandate. Pragu zgjedhor kombëtar është vendosur në 1% dhe mandatet do të ndahen sipas metodës D’Hondt. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në vend, votojnë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Vota e tyre përkthehet në mandate deputetësh, pasi edhe numri mandateve të deputetëve përcaktohet mbi bazën e numrit të popullsisë. Prandaj edhe numri i votave të nevojshme për një mandat në secilin qark në këto zgjedhje do të varet nga pjesëmarrja, e cila është diçka e paparashikueshme, nisur edhe nga ndryshimet e forta demografike që vendi pëson çdo vit.
Sipas censit të vitit 2023 Shqipëria ka afërsisht gjysmë milioni njerëz më pak se sa kishte në vitin 2011. Por pjesëmarrjen në votime në këto zgjedhje do ta ndikojë vota e emigrantëve.
Edhe në këto zgjedhje janë dy blloqe të mëdha politike që do të përballen, Partia Demokratike – Aleanca për një Shqipëri të Madhe (ASHM), e udhëhequr nga Sali Berisha (PD), dhe Partia Socialiste e kryeministrit aktual Edi Rama.
Kryesocialisti Edi Rama kërkon një mandat të katërt qeverisës, ndërsa opozita, e përbërë nga PD dhe aleatët kërkon rikthimin në pushtet. Pjesë e koalicionit opozitar është edhe Partia e Lirisë me kreun e saj Ilir Meta që mandatin e deputetit e kërkon nga qelia e paraburgimit, ku qëndron që nga 21 tetori i vitit 2024.
Disa parti të reja politike do të kandidojnë gjithashtu në zgjedhje, duke përfshirë Koalicionin Euroatlantik, Lëvizjen Bashkë, Partia Mundësia dhe “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kjo është hera e parë që partitë e reja kërcënojnë binomin PS-PD dhe kërkojnë vende në Kuvendin e Shqipërisë.
Fushata zgjedhore që u mbyll të premten u karakterizua përgjithësisht nga një klimë e qetë politike. Liderët e forcave të mëdha u përqendruan tek batutat dhe videomesazhet thumbuese me target kryesisht rrjetet sociale, të cilat zunë një vend të rëndësishëm të kësaj fushate.
Procesi I votimit të nisë në orë 7:00 të mëngjesit dhe do të pëfundojë në orën 19:00. Por, ato do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura edhe pas orës 19:00, derisa të votojë edhe votuesi i fundit që në orën 19:00 dodhet para qendrës.
Përveç vëzhguesve të partive politike, procesi zgjedhor do monitorohet edhe nga vëzhguesit e OSBE-ODIHR dhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
SPAK, KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe i ka trajnuar 6,838 efektivë të saj dhe 813 specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe për ruajtjen e objekteve në të cilat zhvillohen zgjedhjet.