Nesër mbahet seanca e rregullt e KS të OKB-së për Kosovën

Nju Jork, 20 tetor 2025 – Të martën, më 21 tetor, në orën 16,00 sipas Kohës së Evropës Qendrore, në Këshillin e Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork do të mbahet takimi i dytë informues për këtë vit mbi mbi situatën në Kosovë, raporton Security Council Report.

Sipas njoftimit,  raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Gutierres, për misionin e kësah organzate në Kosovë, UNMIK, do ta paraqesë zëvendësi i shefit të këtij misioni, Milbert Dongjoon Shin.

Raporti përfshin zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës midis 16 marsit dhe 15 shtatorit të këtij viti.

Sipas Security Council Report, në këtë raport, thuhet se në Kosovë është bërë pak përparim në zbatimin e marrëveshjeve të lehtësuara nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e njohur si Marrëveshja e Brukselit, ndërsa tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës kanë vazhduar medhe gjatë kësaj periudhe.

Në raport thuhet se tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit u rritën pas arrestimit të Ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, i cili e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”. Beogradi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me Prishtinën me lirimin e Popoviqit nga arresti.

Raporti përfshin edhe përpjekjet e Përfaqësuesi Special të BE-së, Peter Sørensen, për vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, si edhe takimet e grupeve negociatore për çështje të ndryshme. Aty thuhet se takimi i fundit i kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, më 11 shtator, “përfundoi pa përparim domethënës, për shkak të mospajtimit të palëve mbi çështjet prioritare të marrëveshjeve të mëparshme.

Në raportin e sekretarit Gutierres përshkruhet edhe situata në pjesën veriore të Kosovës. Ndër të tjera, aty përmendet edhe mbyllja e zyrave të institucioneve dhe organizatave të Serbisë që vepronin ilegalisht në Kosovë, për çka atutoritetet e Kosovës u kritikuan nga UNMIK-u, përfaqësia e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe nga vendet e QUINT-it.

Raporti i sekretarit Gutierres e përfshin edhe procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës si edhe raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Në raport mirëpritet progresi i procesit të konstituimit të Kuvendit dhe u bëhet thirrje të gjitha subjekteve politike që ky proces të përmbyllet në përputhje me dispozitat kushtetuese.

Gazeta Illyria merr vesh se në këtë seancë, e cila do të fillojë në orën 16, sipas kohës së Evropës Qendrore, Kosovën do ta përfasqësojë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ndërsa Serbinë pritet ta përfaqësojë homologu i Gërvallës, Marko Gjuriq.

(r.m.)