Nesër në Kuvendin e Kosovës nis shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Prishtinë, 4 tetor 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për nesër (e hënë, 5 tetor) një seancë të jashtëzakonshme plenare, në të cilën do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Seanca plenare është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendiosje (LVV)

Para seancës, projektligji do të shqyrtohet në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit. Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, ka thënë se në mbledhjen e komisionit do të shqyrtohen aspektet juridike të projektligjit, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.

Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e Projektligjit. Sipas Qeverisë, vlerësimi përfshinte përputhshmërinë e projektligjit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe aspektet juridike të përmbajtjes së projektligjit.

Projektligji u dorëzua në Kuvend nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) më 21 shtator, pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Projektligji parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale zhvillohet në prag të skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e president it të ri të vendit. Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky afat skadon më 6 tetor.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor në mesnatë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

PDK-ja e ka kushtëzuar mbështetjen e deputetëve të saj për zgjedhjen e presidentit me miratimin e Projektligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Gjykatën Speciale. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, deklaroi të shtunën se deputetët e PDK-së do të votojnë për

“Kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme që, të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.

Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve, pra 80 vota. Nëse asnjëri nga kandidat nuk i merr 80 vota në dy rundet e para të votimit, në rundin e tretë mjaftojnë votat e shumicës së thjeshtë të Kuvendit, pra votat e 61 deputetëve, por në të tria rundet e votimit në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

LVV-ja, bashkë me subjektet politike të komuniteteve joserbe dhe deputetin serb Nenad Rashiq, i ka 62 vota në Kuvend, prandaj për votim të vlefshëm nevojitet prania në kuvend e së paku 18 deputetëve.

(r.m.)

Comment

*