Uashington, 25 korrik 2024 – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mbajti të mërkurën një fjalim të ashpër para Kongresit amerikan. Fjalimi i tij u bojkotua nga shumë ligjvënës demokratë dhe u shoqërua me protesta para ndërtesës së Kongresuit, ku morën pjesë mijëra vetë që dënonin luftën në Gaza dhe krizën humanitare që ajo ka shkaktuar, raporton Zëri i Amerikës.
Netanjahu mbrojti fort luftën e Izraelit në Gazë dhe i dënoi protestuesit amerikanë kundër oparacioneve ushtarake izraelite në Gazë. Ai u zotua se Izraeli do ta vazhdojë luftën deri në “fitoren totale”.
Netanjahu kërkoi mbështetje më të fortë nga Shtetet e Bashkuara për luftën e vendit të tij kundër Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura të mbështetura nga Irani, si edhe i dënoi ashpër kundërshtimet e shumta të përpjekjeve izraelite në Shtetet e Bashkuara.
“Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku. Kur qëndrojmë së bashku, ndodh diçka shumë e thjeshtë: ne fitojmë, ata humbin.” tha zoti Netanjahu.
Fjalimi i tij mori shpejt ngjyrime të zymta ndërsa mbronte vendin e tij, por gjithashtu kritikoi ashpër ata që protestonin kundër luftës, duke iu referuar demonstruesve para Kapitolit derisa ai fliste, duke i cilësuar ata si “idiotë të dobishëm” që u shërbejnë kundërshtarëve të Izraelit.
Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje të shumta në Kongres, por u bojkotua nga më shumë se 50 ligjvënës demokratë. Mungesa më e dukshme ishte ajo e Nënpresidentes Kamala Harris, e cila tha se ishte në një udhëtim fushate të planifikuar më parë. Në seancë nuk ishte i pranishëm as senatori republikan J.D. Vance, kandidati e kampit të republikanëve për nënpresident.
Në sallën e Kongresit ishin të pranishëm edhe disa izraelitë që ishin marrë peng nga Hamasi dhe familjet e tyre, ndërsa disa protestues, të cilët kërkuan arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e të gjithë pengjeve, u nxorrën jashtë sallës.
Rashida Tlaib, një ligjvënëse demokrate nga Miçigani e cila ka familjarë në Bregun Perëndimor, me lot në sy mbante një shenjë ku shkruhej “kriminel lufte”. Zonja Tlaib u censurua vitin e kaluar për kritikat e saj të ashpra ndaj Izraelit.
Netanjahu synon ta paraqesë veten si burrë shteti i respektuar nga aleati më i rëndësishëm i Izraelit, SHBA-ja, ndërsa në Izrael janë shtuar kritikat ndaj tij. Ky objektiv është ndërlikuar nga pikëpamjet gjithnjë e më të kundërta të amerikanëve për Izraelin dhe për luftën, e cila është kthyer si një çështje kyçe në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Vizita e zotit Netanjahu në Uashington vjen në kohën e presionit që po ushtrohet në vendin e tij për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, si edhe të pasigurisë politike në Shtetet e Bashkuara, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Zoti Netanjahu pritet të takohet me Presidentin Joe Biden dhe zonjën Harris të enjten, dhe me kandidatin demokrat Trump në Mar-a-Lago të premten.
Shumë demokratë që mbështesin Izraelin, por kanë qenë kritikë ndaj zotit Netanjahu, e shohin fjalimin si një përpjekje republikane për ta paraqitur veten si partia më besnike ndaj Izraelit.
(r.m.)