Jerusalem, 26 janar 2026 – Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pritur të hënën në takim zyrtar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë deklaratës së tij publike, Netanyahu e ka vlerësuar rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se numri i hebrenjve në Shqipëri nuk ishte pakësuar, por ishte rritur falë mbrojtjes së ofruar nga shqiptarët.
Natanjahu ka thënë se muslimanët shqiptarë i kanë mbrojtur qindra hebrenj dhe kanë ndihmuar të tjerë të shpëtonin. Ai ka theksuar se kjo është “një histori që meriton të njihet gjerësisht dhe botërisht”.
Netanjahu e ka cilësuar këtë si “akt moral të rëndësishëm të Shqipërisë gjatë orëve më të errëta të historisë”.
Kryeministri izraelit e ka vlerësuar edhe qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Izraelit pas sulmeve të fundit të Hamasit. Ai ka thënë se kjo mbështetje është vlerësuar nga autoritetet izraelite.
Duke folur për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, Netanjahu ka thënë se numri i turistëve izraelitë që e vizitojnë Shqipërinë është rritur me rreth 800 për qind, ndërsa ky trernd pritet të vazhdojë edhe më tutje. Ai ka shtuar se shumë kompani izraelite e shohin në Shqipëri mundësinë zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.
Kryeministri i Izraelit ka thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve do të forcohen edhe më shumë me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, e cila do të përurohet të martën edhe në praninë e kryeministrit Rama.
Në përfundim të fjalës së tij, Netanjahu ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve shkojnë përtej interesave praktike, duke u mbështetur edhe në një ndjesi afrimi dhe simpatie mes dy popujve.
(r.m.)