Shkruan: Mehmet Prishtina

Kalaja e lashtë e Shkupit, një nga monumentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, u shndërrua më 29 qershor 2026 në një tribunë të kujtesës historike dhe të unitetit kombëtar, ku u shënua 582-vjetori i Betejës së Torviollit – fitores së parë madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane, më 29 qershor 1444, në Dibrën e Poshtme.
Ky përvjetor nuk ishte thjesht një rikujtim i një beteje të lavdishme. Ai ishte një dëshmi se historia shqiptare është një vazhdimësi e pandërprerë e përpjekjeve për liri, dinjitet dhe shtetësi. Fitoret e mëdha nuk mbeten vetëm në faqet e historisë; ato shndërrohen në frymëzim për brezat që pasojnë. Kështu ndodhi me veprën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili për më shumë se një çerek shekulli u bë simbol i qëndresës shqiptare dhe mbrojtës i qytetërimit evropian.
Me ftesën e veprimtarëve Tim Shkupi dhe Enver Kadriu – Tivoli, pata nderin të marr pjesë në manifestimin e organizuar nga Lëvizja Shqiptare në Botë, e cila kishte përgatitur një ceremoni dinjitoze në Kalanë e Shkupit. Në këtë aktivitet morën pjesë veprimtarë, intelektualë, studiues dhe përfaqësues të familjeve të njohura atdhetare, ndër ta edhe përfaqësues të trungjeve familjare të Hasan Prishtinës, Azem Bejt Galicës dhe Shaban Polluzhës.
Në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes Shqiptare në Botë, z. Basha, paraqiti misionin dhe vizionin e kësaj lëvizjeje, duke theksuar se bashkimi i shqiptarëve mbetet një domosdoshmëri historike dhe një detyrim moral ndaj brezave që sakrifikuan për lirinë dhe identitetin kombëtar.
Një mesazh të veçantë përcolli edhe Tim Shkupi, i cili, duke ndërthurur vlerat kombëtare me ato shpirtërore, rikujtoi sentencën e pavdekshme të ideologut të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Kjo thënie u prit me emocione dhe duartrokitje, duke rikthyer në kujtesë një nga mesazhet më të fuqishme të historisë sonë moderne: se mbi çdo dallim qëndron përkatësia jonë kombëtare.
Në emër të Fondacionit Hasan Prishtina dhe të familjes Prishtina, përshëndeta organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke theksuar se historia shqiptare është një zinxhir i pandërprerë sakrificash dhe idealesh. Nënvizova se fryma e Skënderbeut u bë udhërrëfyese për patriotin e madh Hasan Prishtina, ideologun e çështjes kombëtare shqiptare dhe Kryeministrin e Tetë të Shqipërisë, i cili organizoi Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912, që kulmoi me çlirimin e Shkupit më 12 gusht 1912, së bashku me Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin dhe dhjetëra prijës të tjerë dhe mbi 30 mi burra të lëvizjes kombëtare .
Po ashtu, theksova se ky ideal i lirisë vazhdoi të jetojë edhe në fund të shekullit XX, duke frymëzuar Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Në këtë mënyrë, historia e shqiptarëve paraqitet si një vazhdimësi e pandërprerë e përpjekjeve për liri, dinjitet dhe të drejta kombëtare.
Një nga momentet më domethënëse të ceremonisë ishte dhurimi i portretit të Hasan Prishtinës Tim Shkupit. Në emër të Fondacionit Hasan Prishtina pata nderin t’i dorëzoj portretin e patriotit të shquar, ideologut të çështjes kombëtare shqiptare dhe Kryeministrit të Tetë të Shqipërisë, Hasan Prishtina. Ky gjest simbolik përfaqësonte respektin për trashëgiminë e tij politike dhe kombëtare, por edhe mbështetjen tonë për çdo nismë që synon forcimin e vetëdijes kombëtare dhe afrimin e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Manifestimi u mbyll me zotimin se kjo veprimtari do të vazhdojë si një traditë mbarëkombëtare, duke kaluar çdo vit nga një qendër shqiptare në tjetrën. U shpreh dëshira që manifestimi i ardhshëm të organizohet në Prishtinë, me nikoqir Fondacionin Hasan Prishtina, në mënyrë që kujtesa historike të shndërrohet në një institucion të përhershëm të bashkimit kombëtar.
Fishekzjarret që ndriçuan qiellin mbi Kalanë e Shkupit nuk shënuan vetëm fundin e një ceremonie. Ato simbolizuan dritën e historisë sonë, e cila vazhdon të ndriçojë rrugën e brezave. Kombet që e njohin dhe e respektojnë historinë e tyre ndërtojnë një të ardhme më të sigurt. Shqiptarët kanë arsye të jenë krenarë për këtë trashëgimi dhe detyrim ta përcjellin atë me dinjitet te brezat që vijnë.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të kujtojmë se uniteti kombëtar nuk është vetëm një ideal i rilindësve tanë, por një domosdoshmëri për të ardhmen e shqiptarëve. Kjo ishte edhe fryma që mbizotëroi në Kalanë e Shkupit, aty ku historia dhe e ardhmja u takuan nën flamurin kuqezi.
Lavdi Gjergj Kastriotit – Skënderbeut!
Lavdi Hasan Prishtinës!
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe veprimtarëve që i shërbyen çështjes kombëtare shqiptare!
Liri Çlirimtarve!
O sa mirë me qenë shqiptar!
“Feja e shqiptarit është shqiptaria.” — Pashko Vasa

