Nga Letovica e Bujanocit në Amerikë: Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Feston Idrizit drejt doktoraturës 

Nga një fshat i vogël i Luginës së Preshevës deri në laboratorët shkencorë të Massachusetts-it, kjo është rruga e Feston Idrizit, një histori përkushtimi, ëndrrash dhe këmbënguljeje që frymëzon çdo të ri shqiptar. Ai tregon se origjina nuk përcakton kufijtë e asaj që mund të arrihet, kur brenda ke pasion, diciplinë dhe besim në punën tënde.

Feston lindi në vitin 1992 në Letovicë të Bujanocit, në një familje që e kishte arsimin si vlerë themelore. Në verën e vitit 1999, familja u vendos në Prishtinë, ku ai vazhdoi shkollën fillore. Që në klasën e pestë fitoi vendin e parë në garat komunale të biologjisë dhe nisi kurset e gjuhës angleze, hapat e parë të një rruge që do ta çonte drejt horizonteve të reja.

Pas përfundimit të “American School of Kosovo” në vitin 2008, Festoni u pranua në Clark University në Worcester, Massachusetts, ku studioi Biokimi. Dashuria për shkencën dhe kërkimin e çoi më pas në University of Massachusetts Medical School, ku punoi si teknik kërkimor për më shumë se dy vjet. Përvoja në laborator dhe pjesëmarrjet në konferenca shkencore e frymëzuan të vazhdojë më tej, me një përkushtim që nuk njeh lodhje.

Në vitin 2019 nisi studimet për doktoraturë (PhD) në të njëjtin universitet, duke hulumtuar qelizat endoteliale dhe mekanizmat që përcaktojnë funksionin e tyre, pjesë thelbësore e sistemit të enëve të gjakut. Më 24 tetor 2025, ai mbrojti me sukses disertacionin e tij, duke përmbyllur një kapitull të rëndësishëm të jetës shkencore dhe duke hapur një tjetër, plot mundësi e përgjegjësi.

Historia e Feston Idrizit është dëshmi e fuqishme se dijet nuk kanë kufij, kur punon me përkushtim dhe beson në vetvete. Rruga e tij flet për mund, sakrificë dhe ëndrra të realizuara me përulësi e vizion.

Në ambientet e “Europa Paper Wings” (“Where stories take flight”) në Stamford, Connecticut, takimi me të ishte një nga përvojat më të bukura për komunitetin tonë, një moment frymëzimi që tregoi se ëndrrat mund të marrin krahë kudo. Sepse çdo arritje merr kuptim të plotë vetëm kur ndan suksesin e dijes me të tjerët.

Adnan Mehmeti 

Stamford, 2 nëntor 2025