NGA TAKIMI ME SENATORIN CORY BOOKER

Një ngjarje shumë e rëndësishme e organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Që nga momenti i arritjes së senatorit Booker e deri në fund, mbretëroi një atmosferë e ngrohtë dhe një bashkëbisedim i hapur. I gjithë takimi iu kushtua avancimit të interesave shqiptare dhe amerikane në Ballkan.

Paraqitja e liderëve të Ligës Qytetare – figurave legjendare të lobimit në Amerikë, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi – dhe të tjerëve, ishte në nivelin më të lartë, e karakterizuar nga sinqeriteti dhe profesionalizmi.

Kosova u çlirua nga kthetrat e bishës serbe falë rezistencës shumë-shekullore të popullit shqiptar, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga bombardimet ajrore të NATO-s të udhëhequra nga Amerika.

Amerika ndihmoi në krijimin e shtetit të Kosovës, ashtu siç kishte ndihmuar në krijimin e shtetit të Shqipërisë më shumë se një shekull më parë.

Në anën tjetër qëndron Serbia hegjemoniste, e krijuar nga Rusia, qeveria shoviniste e së cilës vazhdon përpjekjet për të shkatërruar Kosovën dhe për ta nënshtruar kombin shqiptar. E pandryshuar që nga koha e Millosheviqit, ajo vazhdon të veprojë në mënyrë agresive kundër shteteve fqinje, duke destabilizuar Ballkanin dhe duke shkaktuar probleme për Evropën dhe botën demokratike.

Senatori Cory Booker, anëtar i Komitetit të Senatit të SHBA për Marrëdhënie me Jashtë dhe i Nënkomitetit për Evropën, është i përkushtuar për paqen, drejtësinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Në fjalën e tij, ai vlerësoi lart marrëdhëniet e ngushta midis dy popujve miq, amerikanëve dhe shqiptarëve.

Ne e dimë mirë vuajtjen e popullit shqiptar nën pushtimin serb, krimet e tmerrshme dhe përpjekjet për gjenocid me synim shfarosjen e popullit shqiptar. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm për veprimet agresive të qeverisë serbe për të minuar arritjet e Kosovës, si dhe për aktivitetet destruktive të qeverisë aktuale autokratike të Serbisë, lidhjet dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë dhe shtete të tjera armiqësore ndaj Amerikës.

Republika e Kosovës është një shtet paqësor e demokratik, me një popull me tradita të thella dhe me miqësi të përhershme me Amerikën. Amerika ka investuar shumë në Kosovë dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në zhvillimin dhe forcimin e shtetësisë së saj.

Unë do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë që më ofron pozicioni im në Komitetet e Senatit dhe kudo që të jetë e mundur, për të kontribuar në avancimin e marrëdhënieve të Amerikës me Kosovën në të gjitha fushat, në interes të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe Evropë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet evropiane dhe nga Serbia, si dhe integrimi i saj në botën demokratike, nuk kanë alternativë.

Rëndësinë e këtij takimi e shtoi pjesëmarrja e delegacionit nga Lugina e Preshevës, ku bënin pjesë Deputeti i Parlamentit të Serbisë Shaip Kamberi dhe veprimtarët patriotë Ragmi Mustafa dhe Ragmi Mustafi. Bashkëpunimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane me udhëheqësit e Kosovës Lindore ka qenë në një nivel shumë të lartë gjatë tri dekadave të fundit.

Në fjalën e tij, deputeti Kamberi theksoi diskriminimin institucional të vazhdueshëm nga Serbia – çaktivizimin e adresave, mohimin e të drejtave themelore të shqiptarëve – përmes të ashtuquajturit projekt “Bota Serbe”, i cili përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar në ruajtjen e paqes dhe në mbështetjen e demokracive të reja në Ballkan.

Pas fjalës sime të shkurtër, i dorëzova senatorit Booker versionin e plotë të shkruar të fjalimit tim dhe librin e vogël xhepi të autorëve Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj, “Mos harro kurrë”, i cili përmbledh informacione të dokumentuara mbi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, të kryer në pesë faza nga viti 1884 deri në 1999.

Ky takim përfaqëson një aktivitet me vlerë të madhe brenda misionit historik të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar.

Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane