Nga trileçja tek triumfi i vërtetë: një reflektim për rininë, sportin dhe kohën që harxhojmë

Nga Gazi Aga

Jam me Interin. Edhe pse nuk ndjek çdo ndeshje, më pëlqen ta shijoj nga larg: një rezultat i bukur, një ndeshje interesante, ndonjë highlight… por mbi të gjitha, më pëlqen muhabeti e shakaja që lind mes shoqërisë sa herë përjetojmë emocionet e sportit. Dje, një shok më tha me shaka: “Interi do merrte tripletën, por mori trileçen,” dhe unë iu përgjigja: “Më mirë trileçen se hallvën.” 😄 Kjo lloj shakaje është ajo që i jep jetë një pasioni, pa e kthyer atë në fanatizëm apo humbje kohe.

Nuk kam asgjë kundër atyre që shohin një apo dy ndeshje në javë. Çdokush ka hobet e veta. Por gjithmonë kam menduar se duhet të ruajmë një ekuilibër në mënyrën se si e përdorim kohën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për telenovelat apo programet televizive që nuk sjellin ndonjë përfitim intelektual apo shpirtëror. Jepu vetes pak argëtim, por mos e harxho jetën për të ndjekur jetën e tjetrit.

Ajo që më shqetëson thellë është një tjetër fenomen që lidhet ngushtë me sportin: bastet. Është për të ardhur keq sa shumë shqiptarë bien pre e kësaj sëmundjeje. Edhe vetëm 1 dollar në një skedinë është haram — jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë moral e shoqëror. Kjo nuk është thjesht një çështje parash: është çështje kohe, varësie dhe shpesh tragjedie. Ka familje që janë shkatërruar, burra që janë bërë rob të rezultateve të ndeshjeve nga Kazakistani në Paraguai, e orë të tëra të jetës që shkojnë kot, pa asnjë produktivitet.

Megjithatë, vetë sporti nuk është armiku. Përkundrazi. Sporti është një nga rrugët më të shëndetshme për të udhëhequr rininë. Në Shqipëri e Kosovë, klubet sportive janë gjithnjë e më aktive, sidomos në basketboll e futboll. Është bukur të shohësh emocionin që përjeton rinia për një fitore apo një përfaqësim të denjë.

Në kohë kur droga dhe apatia po përhapen si epidemi, sporti është shpëtim. Ai nuk është thjesht lojë – është një mënyrë për të ndërtuar disiplinë, qëndrueshmëri dhe punë ekipore. Në SHBA, sporti shihet si pjesë përbërëse e edukimit: shumë të rinj marrin bursa për talentin dhe përkushtimin e tyre sportiv. Dhe kjo është një formë investimi për të ardhmen.

Sepse ardhmëria e një vendi matet me raportin që ka mes produktivitetit dhe moshës së re. Rinia është thesari më i madh që kemi, dhe ajo ka nevojë për drejtim, për përkrahje dhe për motivim.

Këtu hyjnë libraritë, ekskursionet, bisedat me intelektualët, ligjëratat frymëzuese, aktivizimi në projekte shoqërore dhe padyshim, ngritja shpirtërore. Rruga e suksesit nuk është vetëm ajo e diplomave apo e fitores në fushë – është rruga e balancës mes trupit, mendjes dhe shpirtit.

Ndoshta është humbja e thellë që na ktheu në filozofi e reflektime… 😄 Po, duhet të kemi çaste gëzimi, sporti, shoqërie dhe qeshjeje. Por mos e harroni kurrë se energjia juaj, koha juaj dhe zemra juaj janë thesare të çmuara. Mos i shpenzoni për bastet, ekranet boshe apo modele pa thelb. Jepini vetes një qëllim të lartë. Mësoni, eksploroni, lexoni, shërbeni, lutuni, bëhuni më të mirë çdo ditë. Sepse suksesi më i madh nuk është kur fiton skuadra jote… por kur fiton ti mbi vetveten.

Comment

*