Ngec në të njëjtën pikë procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 25 prill 2025 – Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngecur në pikën e dytë të rendit të ditës, zgjedhjen e Kryetarit.

Të premten, në votimin e katërt me radhë, kandidatura e partisë më të madhe në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosjes, përsëri nuk i mori votat e nevojshme.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, me rastin e p[araqitjes së propozimit të kandidaturës së Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit, u bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive që të votojnë për këtë candidate dhe të zhbllokojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Megjithkëtë, edhe në këtë votim, të katërtin me radhë , për Albulena Haxhiun votuan vetëm 57 deputetë, katër më pak se numri më i vogël i votave të nëvojshme për zgjedhjen e kryeparlamentare. Albulena Haxhiu konsiderohet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidatja me e merituar, duke qenë se është kandidatja më e votuar për deputetete.

Vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet brenda 48 orësh prae ndërprerjes së seancës, më 27 prill në orën 10:00.

Sigurisht, përfaqësuesit e Lëvizes Vetëvendosje dhe partive opozitare akuzojnë njëra tjetrën për ngërçin në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Të dy palët e përmendin si opsion edhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Krasniqi: VV-ja s’do ta zhbllokojë procesin, po mban peng shtetin

Memli Krasniqi.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar se paraqitjen e kandidaturës së njëjtë dëshmon se Lëvizja Vetëvendosje se nuk dëshiron ta zhbllokojë procesin.

“Një gjë është e qartë: Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi ta gjejnë edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh.,, Të njëjtën mundësi do ta kenë edhe pasnesër: Ta ndërrojnë deputetin”, tha Krasniqi.

“Kjo vërtetë tashmë është komplet e pakuptimtë, e turpshme, që për teket e një personi, të një kandidati, të mbahet peng shteti”, tha Krasniqi.

Ai tha se nëse Kuvendi nuk konstituohet, zgjidhja do të ishte të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme, në maj të këtij viti.

Murati: Haxhiu mbetet kandidatja jonë për kryetare

Hekuran Murati.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht kundërshtimeve tw partive opozitare.

“Kuvendit kemi dashur t’ia japim një kryetare grua. Ky është propozimi ynë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha ai.

Ai tha se kundërshtimet ndaj kandidaturës së Albulena Haxhiut “janë më shumë taktika se sa ndonjë arsye konkrete” dhe u bëri thirrje partive të tjera që të “reflektojnë”.

Limaj: Vetëvendosje të lëshojë rrugë

Fatmir Limaj

Deputeti Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, i bëri thirrje partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, që t’u hapë rrugë partive të tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja.

“Besoj se tashmë është bërë e qartë se partia që i ka fituar zgjedhjet nuk i ka votat dhe është koha të lëshojë rrugë për të krijuar një shumicë e cila do t’i themelonte institucionet”, tha Limaj për gazetarë.

Ai tha se partia e tij nuk ka marrëveshje politike me asnjë parti. 

Haxhiu: Jemi të gatshëm të flasim për datën e zgjedhjeve

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, tha se nëse nuk arrin të bëhet konstitutuimi i Kuvendit të Kosovës, atëherë është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme qysh tash të diskutojë me partitë tjera për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Duket që ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi i Koovës, por ne jemi shumë të gatshëm që t’i presim partitë politike që të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, tha Haxhiu.

(r.m.)

Comment

*