Ngritet aktakuzë ndaj një serbi të dyshuar për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë, 26 gusht 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi të hënënën ka ngritur aktakuzë kundër një të fyshuari për krime lufte në Kosovë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Z.N, i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të RSFJ-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

I akuzuari akuzohet për dhunë seksuale ndaj viktimës së nacionalitetit shqiptar gjatë luftës në Kosovë.

“Hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktimë të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale bëri të ditur se i akuzuari gjendet nw paraburgim, por nuk dha mw shumw hollwsi.

“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet në njoftim.

I akuzuari Z.N. ishte arrestuar më 4 mars të këtij viti në Mitrovicë të Veriut, gjatë një aksioni të përbashkët mes Policisë dhe të Prokurorisë Speciale. Pas arrestimit, policia kishte njoftuar se i pandehuri, 70 vjeç, ka kryer krimet në qytetin e Vushtrrisë gjatë vitit 1999.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte njoftuar se për krime lufte në Kosovë i kishte ngritur 33 akuza, në të cilat përfshihen 89 persona.

Prej përfundimit tëi luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare

Gjatë luftës në Kosovë, më 1998 e 1999, në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona nuk janë pagjetur ende. Pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

(r.m.)