Nika: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhje e vetme për krizën në Mal të Zi

Uashington, 4 dhjetor 2022 – Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për krizën politike në Mal të Zi. Por, ai ka theksuar se edhe zgjedhjet mund të gjenden para një ngërçi të madh për shkak të mungesës së kompromisit politik për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Situata nuk është aspak e qëndrueshme sepse kemi pothuajse mosfunksionim të disa insitucioneve kyçe në Mal të Zi, siç është Gjykata Kushtetuese, e cila jep verdiktin final për mbajtjen e zgjedhjeve. Në këtë ngërç institucional, në këtë mosdakordim mes faktorëve politikë që janë në Mal të Zi, në parlament dhe institucione të tjera, rrugëdalja e vetme mbetet zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por derisa nuk ka një kompromis të përgjithshëm për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, edhe zgjedhjet mund të jenë një ngërç akoma më i madh në të ardhmen”, ka thënë Nika, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai ka thënë se shqiptarët duhet të dalin bashkë në zgjedhje, kurdo që ato të mbahen.

“Unë besoj se shqiptarët duhet të unifikohen në një listë të vetme në zgjedhjet që do të mbahen dhe kursi i shqiptarëve dihet që është drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Këtë politikë duhet ta ndjekin shqiptarët, sepse nuk kanë asnjë alternativë tjetër, megjithëse në Mal të Zi ka edhe rryma të tjera, të cilat e shtyjnë Malin e Zi në drejtime të gabuara”, ka theksuar ai.

Zoti Nika ka thënë se shqiptarët në Mal të Zi vazhdojnë të përballen me sfidën e përfaqësimit në  institucionet shtetërore e publike, përfshirë përfaqësimin në parlament.

“Shqiptarët në Mal të Zi ndodhen në një sfidë të përhershme për përfaqësimin proporcional në institucionet publike në Mal të Zi. Duke u ditur se me statistika zyrtare, shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth 5 për qind të popullatës së përgjithshme të Malit të Zi, ndërsa, sipas të dhënave nga studime të ndryshme, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike nuk e kalon shifrën 1.5 për qind, duke llogaritur këtu edhe të punësuarit në fushat e arsimit që medoemos duhet të jenë shqiptarë, pasi mësimi atje zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Sfidë tjetër po ashtu është edhe përfaqësimi në parlamentin e Malit të Zi. Duhet ditur që shqiptarët deri në vitin 2009 kishin mundësi të përfaqësoheshin me vende të garantuara në parlamentin e Malit të Zi, duke qenë në fuqi ligji për zonat e veçanta zgjedhore, aty ku banojnë shqiptarët. Në vitin 2009 është hequr kjo mundësi dhe edhe shqiptarët në Mal të Zi si të gjitha subjektet e tjera, hyjnë si të barabarta në garat zgjedhore, duke sjellë kështu përfaqësim më të ulët të shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi, jo më shumë se dy, maksimalisht tre deputetë, vitet e fundit”, është shprehur z. Nika.

(r.m.)