Nikolla: Këshilli i Evropës nuk është i plotë pa Kosovën

Athinë, 22 tetor 2021 – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, të mbajtur në Athinë.

Gjatë fjalës së saj, Nikolla ka deklaruar se vlerat europiane nuk janë të garantuara derisa Ballkani Perëndimor është jashtë BE-së dhe Kosova është jashtë Këshillit të Europës.

“Këshilli i Evropës, familja evropiane, është zgjeruar në 47 anëtarë, në shtëpinë evropiane, pra Bashkimin Evropian, kanë hyrë deri tani vetëm rreth gjysma e tyre. E ardhmja e qytetarëve evropianë do të jetë ajo që dëshirojmë e ëndërrojmë, atëherë kur në shtëpinë evropiane do të hyjnë të gjithë kombet që përbëjnë familjen evropiane. Vlerat rreth të cilave, ne kombet evropiane, jemi bashkuar në Këshillin e Evropës nuk mund të tjetërsohen nëse politikat e zgjerimit të BE-së do të nisen jo nga meritat, por nga ambicie të tjera të cilat përfitojnë nga parimi i konsensusit. Këshilli i Evropës do të mbetet i paplotë, derisa të pranojë Kosovën, shtetin më të ri të Evropës, një shtet i ri i krijuar nga Evropa atlantike, bashkë me aleatët strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asimetria tjetër lidhet me gjendjen e sotme në Bashkimin Evropian dhe ngurrimet në hapat e zgjerimit. Po hyjmë në dekadën e katërt të valës së demokratizimit në kontinent dhe kufijtë gjeografikë e kulturorë të Evropës, janë ende larg kufijve politikë të saj, Bashkimit Evropian. Në emër të së ardhmes së përbashkët të qytetarëve të saj, Evropa duhet të afrojë kufijtë politikë me kufijtë e saj gjeografikë”, ka thënë Nikolla, ndërsa shtoi: “Ne po mbajmë radhën para portave të BE-së, e cila duhej të ishte prej kohësh, edhe shtëpia e jonë. Duhet ta kuptojmë të gjithë se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar i Bashkimit Evropian”.

https://www.facebook.com/watch/?v=559935688629532

(BalkanWeb)