Nikolla: Nuk kemi kohë për të humbur, Kosova dhe Shqipëria duhet të fillojnë bashkërendimin për rezultate të prekshme

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha gjatë konferencës për shtyp me homologun e saj në Kosovë, Glauk Konjufca, gjatë vizitës zyrtare në vendin fqinj, se kjo është vizita e saj e parë jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe jashtë Tiranës.

Në fjalën e saj, kryeparlamentarja shqiptare theksoi se dy qeveritë shqiptare e kosovare duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, në mënyrë që rezultatet të jenë më të prekshme.

“Jam e lumtur që jam sot në Kosovë dhe që pata nderin të bashkëbisedoj me ju. Kjo është vizita ime e parë jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe jashtë Tiranës, sepse nuk kam vizituar ende një qytet tjetër të Shqipërisë. Ndaj është moment emocional tejet i veçantë që të jem sot në Kosovë dhe të takoj vëllanë tim, Glauk Konjufca.

 


Ne kemi marrë përsipër t’iu shërbejmë shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri dhe për të pasur sa më shumë rezultate, duhet të kemi bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Kjo është një vizitë që tregon se nuk kemi më kohë për të humbur, por duhet të fillojmë bashkërendimin, që rezultatet të jenë më të prekshme.

Ne inkurajojmë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive. Ngritja e Komitetit të Përbashkët për ta parë si po shkojnë marrëveshjet dhe dakordësimet, që dy qeveritë tona po bëjnë, do të ketë edhe përfaqësues të dy parlamenteve tona”, tha Nikolla.

 

(BalkanWeb)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Nga ky takim mediet lejohen të marrin pamje vetëm në oborrin e ndërtesës së qeverisë.

Lindita Nikolla u zgjodh kryetare e Kuvendit të Shqipërisë më 10 shtator. Kjo është vizita e parë zyrtare e saj në Kosovë, pas marrjes së detyrës.

Në mëngjes ajo është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.