Nis gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt: Trupi gjykues e aprovon propozimin për ekzaminim psikiatrik të Naim Murselit

Prishtinë, 4 qershor 2025 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës të mërkurën është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor të rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.

Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë: bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtim Kokalla.

Murseli është deklaruar sërish të mërkurën i pafajshëm, Plava nuk ka pranuar të deklarohet për fajësinë, kurse Kokalla është deklaruar i pafajshëm.

Trupi gjykues e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për ekzaminim psikiatrik të Murselit.

Gjykimi do të vazhdojë në korrik.

Prokurorja Javorka Perlinqeviq në fjalën e saj hyrëse, ka thënë se gjatë administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet fajësia e tre të akuzuarve. Ajo ka thënë ghjithashtu se nga provat e mbledhura dhe nga krahasimi i tyre, Prokuroriaka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

Prokurorja Perlinqeviq ka thënë se dyshimi i bazuar mbështetet në një numër të madh provash materiale, si edhe në deklaratat që të akuzuarit i kanë dhënë në polici. Ajo i ka cilësuar të rënësishme edhe dëshminë e Leonard Ademajt, vëllait të tani të ndjerës Liridona Ademaj, si edhe dëshminë e ekspertit mjeko-ligjor, Naim Uka, i cili ka bërë autopsinë e trupit të të ndjerës.

Prokurorja e rastit ka thënë se prova janë edhe video-incizimet të cilat tregojnë në mënyrë të qartë lëvizje e të akuzuarve Murseli dhe Plava, si edhe tabulatet e telefonave të të akuzuarve Plava dhe Kokalla. Sipas saj, nga mesazhet mes Plavës dhe Murselit shihet se vrasja është kryer pikërisht në ditën që ishte planifikuar nga i akuzuari Murseli.

Perlinçeviq ka thënë se për raportet familjare mes tani të akuzuarit Murseli dhe tani të ndjerës Ademaj është e nevojshme të dëgjohen edhe dëshmitë e familjarëve të të dyja palëve.

Ajo ka propozuar që si provë materiale të pranohet edhe raporti i organeve shtetërore të Suedisë, ku vërtetohet se në vitin 2022 në emër të tani të ndjerës ishte paguar polica e sigurimit jetësor në vlerë prej 3 milionë krunash suedeze, në kundërvlerë të 260 mijë eurove.

Prokurorja Perlinçeviq ka thënë se i akuzuari Kokalla ka deklaruar në Polici se afërsisht një vit para vrasjes së Ademajt, i akuzuari Murseli i kishte kërkuar që t’ia vriste bashkëshorten, por ai kishte refuzuar. Mirëpo, rreth 3 javë para vrasjes, vetë Kokalla e kishte njoftuar Murselin ne Plavën dhe se ata ishin marrë vesh që vrasjen të kryente Plava në këmbim të shpërblimit prej 30 mijë eurove.

Prokurorja ka theksuar se, gjatë administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, do të vërtetohet dyshimi i bazuar i Prokurorisë dhe trupi gjykues do të sjellë aktgjykim dënues.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leutrim Syla, në fjalën hyrëse, ka thënë se pret që ky gjykim t’iu japë përgjigje shumë dilemave, sidomos të vërtetës perse Liridona Ademaj u vra në mënyrë aq dinake. Ai ka thënë se beson që gjatë gjykimit do t’i jepet përgigje edhe pyetjes së babait të tani të ndjerës Liridona Ademaj se si Naimi ka arritur të dalë nga vetura bashkë me fëmijët kurse Liridona ka mbetur e fundit në vëturë, pyetjes së fëmijëve të Liridonës “Pse babi e la hajnin me ia ba nanës bam”, pyetjes së vëllait të Liridonës, Leonardit, se si, një natë pas vrasjes së Lidironës, Naimi ka mundur të ushqehet në “Sëiss Diamond” sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Syla ka shprehur besimin se gjatë procesit fjyqësor do të jepen përgjigje edhe për një sërë pyetjesh të tjera lidhur me planin e të akuzuarit Murseli dhe lidhur me realizimin e tyij bashkë me të akuzuarit Plava dhe Kokalla.

Në fund, ai ka theksuar se pret që gjykimi të përfundojë me dënim meritor për të akuzuarit i Murseli, Plava dhe Kokalla.

Fjalët e prokurores Përlinçeviq dhe të avokatit Syla i ka mbështetur plotësisht Leonard Ademaj, vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj.

Mbrojtësja e të akuzuarit Naim Murselit, avokatja Teutë Zhinipotoku, në fillim të fjalës hyrëse, në emër të klientit të saj dhe familjes së tij, ka shprehur keqardhje të thellë për vrasjen e Liridona Ademajt.

“Pavarësisht qëndrimit juridik të mbrojtjes, dhimbja që ka përjetuar familja e tani të ndjerës është e pamohueshme dhe meriton respekt të plotë”, ka thënë Zhinipotoku.

Ajo ka thënë se Murseli është deklaruar i pafajshëm që nga fillimi dhe ka bashkëpunuar me rganet e drejtësisë dhe ka theksuar se pret trajtim të drejtë e të barabartë të klinetit të saj, duke u thirrur në prezumimin e pafajësisë.

Sipas saj, Prokuroria nuk ka paraqitur prova bindëse, të drejtpërdrejta apo të mjaftueshme, që do ta lidhnin klientin e saj me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Bazimi i aktakuzës në rrethana të përgjithshme, në supozime apo në interpretime të njëanshme të situatës nuk mund të përbëjnë bazë ligjore për një dënim penal”, ka thënë ajo.

Zhinipotoku ka thënë se mbrojtja vlerëson se nuk ka prova të drejtpërdrejta që provojnë se i akuzuari Murseli e ka kryer apo urdhëruar kryerjen e vrasjes. Sipas saj, nuk ekzistojnë as lidhje logjike mes të pandehurit dhe veprës penale, pasi argumentet e Prokurorisë “nuk e tejkalojnë nivelin e dyshimit”.

Zhinipotoku ka thënë se, në mungesë të një motivi të qartë, pretendimi për veprën penale “vrasje e rëndë” mbetet e pambështetur dhe i cenueshëm juridikisht.

Avokatja ka kërkuar që Murseli të dërgohet në ekzaminim psikiatrik, duke bërë të ditur se këtë e kishte kërkuar edhe para ngritjes së aktakuzës, por nuk ka masrrë asnjëherë përgjigje, as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata.

“Duhet të kemi provë të mjaftueshme se a është i akuzuari në gjendje ta përcjellë rrjedhën e shqyrtimeve kryesore, ta kuptojë procedurën gjyqësore dhe të konsultohet me mbrojtësit e tij në shqyrtime gjyqësore”, ka theksuar ajo.

Ajo ka thënë se procesi gjyqësor mund të vazhdojë vetëm pasi të sigurohet konstatimi i ekspertëve të psikiatrisë.

Edhe avokati i të akuzuarit Granit Plava, Skender Gojani, e ka vënë theksin në gjendjen ermocionale dhe psikologjike të klientit të tij.  Ai ka thënë se një ditë më parë e ka pranuar ekspertizën e Institutit të Psikiatrisë Forenzike për gjendjen e të akuzuarit Plava.

Gojani ka thënë se Plava nuk do të deklarohet lidhur me fajësinë e tij në këtë fazë, për shkak të rrethanave dhe gjendjes së rënduar psikologjike dhe emocionale, duke shtuar se mbrojtja do të paraqesë prova dhe fakte lidhur me gjendjen e tij pas një aksidenti të rëndë që e kishte pësuar i pandehuri dy muaj para ngjarjes.

“Këto rrethana janë të rëndësishme për të vlerësuar në mënyrë të plotë dhe të saktë elementet e veprës penale, për shkallën e rrezikshmërisë dhe për të ndriçuar gjendjen e të pandehurit në momentin kritik”, është shprehur ai.

Në fund të fjalës hyrëse, avokati Gojani ka thënë se mbrojtja do të angazhohet “për një gjykim të drejtë dhe të balancuar”.

Kurse, mbrojtës i Kushtrim Kokallës, avokati Ndrecë Dodaj, ka thënë se provat e prezantuara nga prokurorja Perlinçeviq nuk do të vërtetojnë se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale sikurse thuhet në aktakuzë.

“NMe asnjë provë nuk vërtetohet prezenca e të pandehurit Kushtrim Kokalla në kryerjen e veprës”, ka thënë Dodaj.

Ai ka thënë se provat e prezantuara nga prokurorja e rastit më shumë kanë karakter rrethanor, pasi ato kanë të bëjnë me raportet familjare, me raportet bashkëshortore dhe me raportet shoqërore midis palëve si edhe midis të akuzuarve. Sipas tij, “këto prova nuk vërtetojnë asnjë pretendim të Prokurorisë se Kokalla është kryerës apo bashkëkryerës” i veprës penale.

Ai ka theksuar se Kokalla do të jetë i gatshëm gjithmonë të tregojë realitetin dhe se në fund në procesit gjyqësor pret aktgjykim lirues për të.

Gjykatësja Fatime Dermaku e ka shpjeguar çështjen e kërkesës së avokatit Syla për ekzaminim psikiatrik të Naim Murselit. Ajo ka thënë se gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën, kurse ajo, si kryetare e trupit gjykues, nuk ka pranuar kërkesë të tillë.

Edhe prokurorja Perlinçeviq ka shpjeguar se gjykatëse i procedurës paraprake e kishte reufuzuar kërkesën për ekzaminim psikiatrik të Murselit, për shkak të mungesës së provave, raporteve mjekësore që do ta mbështesnin kërkesën. Ajo ka thënë se me vendimin për refuzimin e kërkesës për ekzaminim psikiatrik është njoftuar edhe mbrojtja.

Prokurorja nuk e ka kundërshtuar propozimin e avokates për ekspertim neuro-psikiatrik për Murselin, por ka shprehur dyshime se kjo kërkesë bëhet me qëllim të zvarritjes së procesit.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, e ka aprovuar propozimin e avokates Zhinipotoku ekzaminim psikiatrik të Naim Murselit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Ajo ka thënë se ky ekzaminim duhet të realizohet brenda dy javësh dhe seanca e radhës mund të vazhdojë në muajin korrik.

 (r.m.)

Comment

*