Nis mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit

Prishtinë, 17 janar 2024 – Të mërkurën në Mitrovicën Veriore dhe në Leposaviq ka nisur nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave të banuara me shumicë serbe.

Javën që vjen pritet të mblidhen nënshkrimet edhe në Zveçan e në Zubin Potok, për t’i hapur rrugë organizimit të zgjedhjeve të reja në këto katë komuna të pjesës veriore të Kosovës.

Sanja Kërtiniq, njëra nga nismëtaret për peticion në veriun e Mitrovicës i tha Zërit të Amerikës se ka interesim të madh për nënshkrimin e peticionit.

“Siç e shihni, gjatë gjithë kohës vijnë grupe qytetarësh, nënshkruajnë peticionin dhe deri më tash jemi më se të kënaqur sepse kjo tregon se qytetarët janë të interesuar që të ndërrojnë kryetarin e komunës”, tha ajo.

Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

Zonja Kërtiniq tha se po bëhen përpjekje për të tejkaluar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve, me synim të përçimit të mesazhit se kryetarët aktualë janë të padëshiruar.

“Njëzet përqindëshi është goxha lehtë që të përmbushet dhe kjo është tre mijë e 640 nënshkrime. Ne po mendojmë që të shkojmë edhe më lartë për arsye se nuk duam që statusi i disa nënshkruesve të jetë i pavlefshëm apo diçka ngjashëm sepse duam ta zbatojmë këtë peticion deri në fund ashtu siç duhet, që të respektohet si i tillë”, tha zonja Kërtiniq.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë e cila u përkeqësua pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku.

(Zëri i Amerikës)