Nis zbatimi i marrëveshjes për letërnjoftime mes Kosovës e Serbisë

Prishtinë, 1 shtator 2022 – Të mërkurën në mesnatë në vendkalimet kufitare midis Kosovës e Serbisë filloi zbatimi i marrëveshjes për lëvizje me letërnjoftime.

Në vendkalimet kufitare në Merdar dhe në Jarinje, shtetasit e Kosovës që kanë hyrë në Serbi me letërnjoftime me simbolet shtetërore të Kosovës nuk janë pajisur me dëshmi shtesë të identifikimit, siç ka ndodhur qysh prej nëntorit të vitit 2011.

Reporterët e televizionit Klan Kosova që gjendeshin në këto dy vendkalime kufitare raportuan se hyrja në Serbi e shtetasve të Kosovës është bërë vetëm me një verifikim të identitetit, pa ndonjë procedurë tjetër shtesë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka vizituar në mesnatë vendkalimin kuftar në Bërnjakë, për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjes.

“Jemi në Bërnjak, kishim një veturë të kolegëve tuaj (gazetarë) që kaloi pa problem. Është ndërprerë lëshimi i dokumenteve të hyrje-daljes edhe në vendkalimet: Merdar, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë. Në Jarinjë ende s’ka kaluar ndonjë veturë, por mund të konkludojmë që është ndërprerë lëshimi i dokumenteve të hyrje-daljes”, ka thënë Sveçla, pak pas mesnate.

Marrëveshja midis Kosovës e Serbisë për lavizjen me letërnjoftime u arrit javën që shkoi, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me këtë marrëveshje mundësohet lëvizja pa pengesa e serbëve të Kosovës që kanë letërnjoftime të Serbisë.

Në prag të fillimit të zbatimit të marrëveshjes, në objektet e policisë kufitare të Serbisë, janë vendosur afishe, në gjuhën serbe dhe në gjuhën angleze, në të cilat thuhet se kalimi i kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova lejohet “për arsye krejtësisht praktike”, bazuar në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes së arritur në Bruksel, në vitin 2011.

“Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës; nuk paragjykon përcaktimin e statusit final të Kosovës; nuk mund të interpretohet si heqje dorë e Beogradit nga të drejtat e pranuara me Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në afishe.

Ndryshe nga lëvizja me letërnjoftime qëndron çështja e lëvizjes me automjete.

Autoritetet kufitare të Serbisë dhe ato të Kosovës vazhdojnë të mbulojnë me letra ngjitëse simbolet shtetërore të targave të automjeteve të të dyja vendeve, siç ndodh qysh prej vitit të kaluar.

(r.m.)