
USCIS-i njoftoi se periudha fillestare e regjistrimit për viza H-1B për vitin fiskal (“FY”) 2027 (e njohur dhe si “lotaria H-1B”) do të qëndrojë e hapur nga data 4 mars, 2026 deri më datën 19 mars, 2026. Njoftimi përmban dhe informacione mbi procesin e regjistrimit, sistemin e ri të përzgjedhjes si dhe tarifën prej 100,000 dollarësh për vizën H-1B.
Programi H-1B vlen për ata punëdhënës që kërkojnë të punësojnë persona joemigrantë në profesione të specializuara ose modele me merita dhe aftësi të veçanta në fushën e modës. Me profesion të specializuar nënkuptohet ai lloj profesioni për kryerjen e të cilit nevojiten njohuri të thella dhe specializim i veçantë si dhe një diplomë universitare të paktën e nivelit bachelor ose ekuivalentja e saj. Qëllimi i dispozitave të vizës H-1B është t’i vijë në ndihmë atyre punëdhënësve që nuk kanë mundësi tjetër për të siguruar në SHBA fuqi punëtore me aftësitë dhe kompetencat e nevojshme që kërkon biznesi, duke autorizuar punësimin e përkohshëm të personave të kualifikuar që ndryshe nuk do të lejoheshin të punësoheshin në Shtetet e Bashkuara.
Ligji vendos standarde të caktuara të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e punëtorëve amerikanë, të punësuar në mënyrë dhe punë të ngjashme, nga pasojat e pafavorshme që mund të vijnë nga punësimi i punëtorëve joemigrantë, si dhe mbrojtjen e vetë punëtorëve joemigrantë me viza H-1B. Punëdhënësit duhet t’i deklarojnë Departamentit të Punës se do t’u paguajnë punëtorëve joemigrantë H-1B paga që janë të paktën të barabarta me pagën aktuale që punëdhënësi u paguan punëtorëve të tjerë me përvojë dhe kualifikime të ngjashme për atë vend pune, ose me pagën mbizotëruese që merr një profesionist në atë fushë punësimi – cilado syresh që të jetë më e larta.
Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit i SHBA-së (USCIS-i) njoftoi se periudha fillestare e regjistrimit për vizat H-1B për vitin fiskal 2027 do të hapet më 4 mars, 2026 në mesditë (EDT) dhe do të zgjasë deri në mesditë të datës 19 mars 2026 (EDT). Gjatë kësaj periudhe, punëdhënësit që planifikojnë të paraqesin peticione H-1B dhe përfaqësuesit e tyre duhet të përdorin një llogari online në faqen e USCIS-it për të regjistruar elektronikisht çdo person që dëshiron të përfitojë nga procesi i përzgjedhjes si dhe për të paguar tarifën përkatëse të regjistrimit prej 215 dollarësh për regjistrim. Nëse jeni punëdhënës që po paraqet një peticion H-1B dhe nuk keni të hapur një llogari online me USCIS-in, duhet të krijoni një llogari si organizatë. Përfaqësuesit mund të shtojnë klientët e tyre të biznesit në llogaritë përkatëse në çdo kohë, por si përfaqësuesit ashtu edhe punëdhënësit duhet të presin deri më datë 4 mars për të futur informacionin mbi personat përfitues si dhe për të dorëzuar regjistrimet dhe tarifën përkatëse prej 215 dollarësh. Procesi përzgjedhës fillon pasi të mbyllet periudha fillestare e regjistrimit. USCIS-i synon të dërgojë njoftimet mbi përzgjedhjet brenda datës 31 mars, 2026, nëpërmjet llogarive online të përdoruesve në USCIS, për punëdhënësit dhe përfaqësuesit që janë përzgjedhur të paktën për njërin nga regjistrimet e kryera. Një punëdhënës ose peticioner mund të paraqesë peticionin H-1B vetëm nëse personi që do të përfitonte nga ky peticion është përzgjedhur nga USCIS-i në procesin e regjistrimit për H-1B.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka nxjerrë një rregullore përfundimtare për regjistrimin elektronik H-1B e cila përmban disa ndryshime të rregullave se si USCIS-i përzgjedh regjistrimet për aplikantët që më pas do të mund të paraqesin peticionin H-1B. Sipas procesit të ri të përzgjedhjes për H-1B i jepet përparësi në dhënien e vizave atyre punonjësve që janë më të kualifikuar dhe kanë paga më të larta, me qëllim mbrojtjen më të mirë të pagave, kushteve të punës dhe mundësive për punësim të vetë punonjësve amerikanë. Për periudhën e regjistrimit për viza H-1B për vitin fiskal 2027, nëse numri i regjistrimeve gjatë periudhës fillestare të regjistrimit, e kalon numrin e vizave në dispozicion, USCIS-i do të kryejë një proces përzgjedhjeje që do t’i japë më shumë përparësi aplikantëve që paraqesin aftësi unike gjithnjë nëse ata e kanë kryer sic duhet procesin e regjistrimit. Nëse numri i regjistrimeve nuk e kalon numrin e vizave në dispozicion, atëherë USCIS-i do të përzgjedhë të gjitha regjistrimet e paraqitura nëse ato janë kryer sic duhet.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) do të ndjekë një proces përzgjedhjeje “me përparësi” për regjistrimet H-1B për vitin fiskal 2027, duke zëvendësuar sistemin e mëparshëm të përzgjedhjes rastësore. Sipas qasjes së re, do të kenë përparësi në përzgjedhje përfituesit të cilëve u është ofruar paga më e lartë nga punëdhënësi. Vlerësimi lidhur me pagat do të bazohet në të dhënat e ofruara nga programi amerikan Occupational Employment and Wage Statistics (OEWS) — deri në katër hyrje për nivelin më të lartë të pagës. Sipas rregullit të ri, do të favorizohen me hyrje shtesë në lotari përfituesit të cilëve u është ofruar pagë më e lartë. Sa më i lartë të jetë niveli i pagës së ofruar, aq më shumë hyrje në lotari do të përfitojë aplikanti në fjalë. Çdo aplikant përfiton të paktën një hyrje në lotari. Aplikanti përfiton një hyrje shtesë për çdo nivel pagese të ofruar nga punëdhënësi që e kalon nivelin bazë për seleksionim (p.sh., një hyrje e vetme në lotari për pagat në Nivelin I dhe poshtë; dy hyrje për pagat e ofruara që tejkalojnë Nivelin II, dhe kështu me radhë).
Regjistrimet për kufirin H-1B do të vazhdojnë të bëhen online përmes myUSCIS. Tarifa e regjistrimit në USCIS mbetet 215 dollarë për çdo regjistrim. Nëse regjistrimi i një peticioneri përzgjidhet dhe ai kualifikohet për të paraqitur një peticion H-1B që i nënshtrohet kuotës së vizave, peticionerit, përpara se të paraqesë peticionin H-1B, mund t’i kërkohet si kusht pranimi të paguajë një tarife shtesë prej 100,000 dollarësh.
Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com