Nga Ruben Avxhiu
Askush nuk e priste këtë javë dorëheqjen e Ambasadores së SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley. As disa nga zyrtarët më të lartë të Administratës së Presidentit Donald Trump e as disa nga bashkëpunëtorët e saj në Misionin Amerikan në OKB.
Në bazë të anketimeve të opinionit publik, Nikki Haley ishte zyrtarja më e pëlqyer në popull nga Administrata Trump. E donin jo vetëm republikanët pro-Trump po edhe ata që nuk e kanë përtypur dot presidentin e partisë së tyre.
Ndonëse, e filloi mandatin e saj në OKB me paralajmërimin se SHBA do të mbante shënim emrat e aleatëve që nuk e përkrahin, Ambasadorja Haley fitoi shpejt respektin e kolegëve të saj të vendeve aleate, me qendrimet e saj të ashpra dhe të principta ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, diktatorit Asad në Siri etj.
Ambasadorja Haley fitoi shpejt edhe simpatinë dhe besimin e shqiptarëve me qendrimet e saj lidhur me temat nga Ballkani.
Gjatë muajit kur kishte drejtimin e Këshillit të Sigurimit, ajo anulloi sesionin tremujor të Kosovës, duke nënvizuar se Kosova tashmë ishte një vend i pavarur, Serbia duhej ta pranonte realitetin dhe mbi të gjitha OKB nuk kishte më punë aty.
Ajo përkrahu tërësisht pozicionin e Kosovës se Këshilli i Sigurimit kishte problem të tjera nëpër botë. Kosova nuk ishte më një nga ato. E vetmja arsye se pse bëheshin ende këto seanca çdo tre muaj ishte mbajtja gjallë e shpresës apo propagandës serbe e ruse për të deligjitimuar pavarësinë.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, Shqipëria bëri publike planet e saj për të kandiduar si anëtare e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-23.
Duke marrë pjesë në një mbrëmje të organizuar nga Konsullata e Kosovës në New York, Ambasadorja Haley zbuloi edhe një fakt interesant nga jeta private, që bashkëshorti i saj ishte një shqiptaro-amerikan. Gjyshi i tij kishte emigruar nga Shqipëria.
Shqiptarët kishin arsye të shqetësoheshin kur Presidenti Trump e caktoi si Ambasadore në OKB. Ne nuk denim asgjë për pikëpamjet e saj ndërkombëtare. Deri në atë moment, Nikki Haley kishte qenë guvernatore e shtetit të Karolinës së Jugut. Pikëpamjet e saj ishin pothuajse të gjitha të kufizuara në planin e brendshëm. Presidenti Trump kishte ngurruar gjatë gjithë fushatës që të kritikonte Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në një kohë që Rusia kishte shtuar praninë e saj në Ballkan dhe mbetej përkrahëse e fortë e qendrimeve të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.
Askush nuk i largoi më shumë këto shqetësime sesa Ambasadorja Haley. Ajo disa herë ka shprehur përkrahjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Kosovën. Në një prej deklaratave të para të saj, në Këshillin e Sigurimit, ajo tha se Kosova meriton të zërë vendin që i takon në komunitetin ndërkombëtar, si anëtare e OKB-së.
Dy javë më parë, ai hodhi poshtë zërat se Administrata është e ndarë në qendrimet e saj për Kosovën. Ajo tha se SHBA nuk ka mëdyshje në mbështetjen e saj për Kosovën dhe se qendrimet amerikane nuk kanë ndryshuar.
Haley ka pasur kritikët e saj. Sidomos lidhur me vendimin për të braktisur UNESCO-n si dhe fushatën e kundër rezolutës që dënonte njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Kjo e fundit, pas votës kundër të Shqipërisë krijoi debate të forta në Tiranë lidhur me politikën e jashtme shqiptare.
Ka spekullime që e shohin Ambasadoren Nikki Haley si kandidate të mundshme për Presidente në SHBA. Kundër Presidentit Trump ose pas Presidentit Trump. Në konferencën e fundit për shtyp, ajo i hodhi poshtë këto spekullime dhe i premtoi Presidentit përkrahjen për rizgjedhje në 2020.
Presidenti Trump do ta ketë të vështirë të gjejë një zëvendësim të mirë. Disa po e shohin si një sprovë për fuqinë e vërtetë të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton në Administratë. Po edhe për të ardhmen e politikës së jashtme amerikane, në një kohë kur tensionet me Kinën, Iranin po edhe me vende të tjera po rriten me shpejtësi.