Një botim me interes mbi gjeohapësirën shqiptare në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike

(Një vështrim fillestar mbi librin “Gjeopolitika, territori, konflikti” të Hivzi Islamit dhe Arsim Ejupit)

 

Të mërkurën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) u promovua libri i Akademik Hivzi Islamit dhe Dr Arsim Ejupit “Gjeopolitika, territori, konflikti” (Politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve).

Në këtë libër, botim i ASHAK-ut, trajtohen një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me gjeohapësirën shqiptare, me theks të veçantë në gjeohapësirën e Kosovës, si në kontekstin historik ashtu edhe në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike në rajon.

Botimi nis me definimin dhe zhvillimin e gjeopolitikës si disiplinë shkencore, me rolin e saj në kuadër të sistemit të dijeve dhe të shkencave, vazhdon me gjeopolitikën në kontekst të identitetit, me zhvillimin e mendimit gjeopolitik, me gjeopolitikën si instrument të doktrinës të hegjemonizmit, me relacionet midis gjeopolitikës e gjeostrategjisë, etj.

Në këtë botim trajtohen edhe problemet shumë komplekse të gjeopolitikës: gjeohapësira, çështja e kufijve dhe konfliktet territoriale në botë (përfshirë mosmarrëveshjet dhe konfliktet e kësaj natyre, si: mosmarrëveshjet mes Indisë e Pakistani rreth Kashmirit, konflikti arabo-izraelit, problemet territoriale të Kinës me fqinjët edhe agresioni rus ndaj Ukrainës, i cili është duke e ndryshuar radikalisht hartën gjeopolitike të botës).

Në pjesën qendrore të këtij botimi trajtohen edhe politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe ndaj trojeve tjera etnike shqiptare, si edhe paaftësia e Evropës për të zgjidhur problemet e shumta në rajonin e Ballkanit, të cilësuar prej kohësh si “fuqi baruti”.

Çështja e kufijve në këtë rajon trajtohet në aspektin teorik dhe në rastet konkrete, siç është çështja e kufirit midis Kosovës dhe vendeve fqinje, në veçanti ajo e kufirit me Serbinë. Në këtë kontekst trajtohet edhe ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë, e cila vështrohet në kontekst të projeksioneve për zgjerimin e hapësirës territoriale të Serbisë dhe të përpjekjeve politike e diplomatike për zhbërjen e shtetit të Kosovës ose, së paku, për defunksionalizimin e tij.

Në këtë botim trajtohet edhe çështja e instrumentalizimit të shkencës dhe vënia e saj në shërbim të elitave politike dhe parapolitike që krijojnë kauza politike të paqena në luftën e tyre për pushtet. Autorët e vështrojnë si kauzë të rrejshme edhe çështjen e demarkacionit të kufirit midis Kosovës e Malit të Zi dhe vlerësojnë se kjo kauzë u fundos përfundimisht në vitin 2018, me miratimin pa asnjë ndryshim të marrëveshjes së vitit 2015, e cila ishte kundërshtuar edhe me mjete të dhunshme nga një grupacion politik, ndërsa çmimin e këtij kundështimi e paguan qytetarët e Kosovës me vonesën gati dhjetëvjeçare të procesit të liberalizimit të vizave në hapësirën e BE-së.

Në këtë libër trajtohet edhe demo-politika, e cila lidhet ngushtë me gjeopolitikën, si edhe ndryshimet demografike dhe lëvizjet gjeo-popullative në Kosovë, me theks në lëvizjet gjeo-popullative me sfond etnik. Në këtë sfond vështrohen aktet politike dhe juridike që bazohen në projektet dhe programet për ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë, përfshirë masat administrative dhe operacionet ushtarake e policore për pastrimin etnik të Kosovës.

Një pjesë e këtij libri e trajton edhe çështjen e Luginës së Preveshës me tërë kompleksitetin e saj, si në kontekstin historik e politik ashtu edhe në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike në rajon.

Në pjesën e fundit të librit risillen pjesë të programeve, dokumenteve e dëshmive që pasqyrojnë rikonfigurimin dhe ristrukturimin gjeopolitik të gjeohapësirës ballkanike, europiane dhe botërore, si edhe pasqyrën e literaturës dhe të burimeve, bashkë me një rezyme në gjuhën angleze dhe indeksin e emrave.

Akademik Muhamedin Kullashi, në recensionin e tij, ndër të tjera, e cilësoi librin e Hivzi Islamit dhe Arsim Ejupit “Gjeopolitika, territori, konflikti” si një kontribut shumë të rëndësishëm për identifikimin e faktorëve me ndikim në gjeohapërisën shqiptare në kontekst të ndryshimeve gjeopolitike në rajon. Rrjedhimisht edhe si një kontribut me vlerë për harmonizimin e politikave në gjeohapësirën shqiptare me interesin e aleatëve dhe faktorëve miqësorë të shqiptarëve në gjeohapësirën e rajonit.

(r.m.)