Prishtinë, 30 dhjetor 2025 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në Pejë. Dy persona, një burrë dhe një grua, janë gjetur pa shenja jete brenda një vile në rrugën “KFOR”.
Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi, bëri të ditur se policia u njoftua për rastin rreth orës 15:10.
“Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, u shpreh ai.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se viktimat nuk kanë pasur shenja të dhunës dhe se në vendngjarje nuk është gjetur ndonjë armë zjarri.
Ai tha se në vendngjarje ka dale prokurorja për krime të rënda dhe kryeprokurori dhe se trupat e pajetë u dëeguan për autops, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e vdekjes.
“Lidhur me këtë çështje janë siguruar prova në vendin e ngjarjes të cilat do të shërbejnë për veprimet e mëtejme. Janë identifikuar dëshmitarët, të cilët mund të intervistohen për të kuptuar më shumë informata rreth ngjarjes”, u shpreh ai.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se viktima mashkull është rreth 30 vjeç, ndërsa viktima femër është rreth 20 vjeçe.
Sipas dëshmitarëve ata ishin vendosur në vile të martën në mëngjes, ndërsa vdekja e tyre është konstatuar nga personeli i vilës.
(r.m.)