NJË DITË PAS FITORES…

– përsiatje nga Visar Zhiti –

Është koha më e rëndësishme dhe më e rrezikshmja ajo e mbasfitores…

Dhe dëgjojmë për fitoret që ndodhin në vendin tonë, aq shumë të përsëritura, fitore të njëllojta, që entuziazmojnë shumë e shumë njerëz njëlloj, kur s’kuptohet çfarë u fitua dhe kush dhe pse është fitore prapë ajo që s’ishte fitore as herën e parë, madje jo dhe aq e mirë, ngulmimi s’është fitore, etj, etj, ndërkaq më përsillen befas në mendje vargjet e pamëshirshme të Nolit, edhe pse si një terapi dëshpëruese:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni!…”

Çfarë s’meritojmë, Imzot?…

Është poezia e tij me gjuhë biblike,“Moisiu në Mal”, dhe ashtu si Bibla me vlerë të përjetëshme, edhe poezia e Fan Nolit ka porosi të tilla që më duken aktuale për fitoret apokrife, pas të cilave nuk ka mbërritje.

Po ta lexojmë edhe një herë të gjithë poezinë për bukurinë e saj të egër:

MOISIU NË MAL

Ngjitet përpjetë Malit të shkretë

Krye-Profeti trimi me fletë,

Të bisedonjë me Perëndinë

Për Palestinë.

Arrin në majë lart i kapitur,

Qëndron me frikë, pret i tronditur,

Dhe Jehovaj i flet prej një reje

Me zë rrufeje:

“Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,

Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni

Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni

Se liri s’doni !”

Krye-Profetit dita i ngryset

Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset

Me lot në sy, me zemër të ngrirë

I lyp mëshirë.

Pse kaqë gjatë, Zot, m’arratise,

Pse më përplase, më përpëlise,

Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,

Dhe sot ma preve ?

“Nëm Dhen’ e Lirë! Zot ku ma ke?”

“Shiko, i tha, dhe ja ku e pe.”

Së largu Zoti ia pasqyron,

Dhe e shikon.

Ja Nazareti, ja Bethlehemi,

Lum’ i Jordanit, Jerusalemi,

Mal’ i Sionës, Bethsaidaja,

Dhe Golgothaja,

Sheh gasn’ e pritmë për djalërinë

Dhe shkretëtirën për pleqërinë,

Atje sa bukur, këtu sa zi,

O Moisi.

Këtej ka dimrin, andej pranverën,

Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;

Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,

Liberator!

Si përzihen fitorja me mosfitoren! Premtimi me ëndrrën, antiteza me pranverën dhe dimrin, me parajsën dhe skëterrën… me ne dhe ne, që mbetemi përballë tyre, pa ditur të zgjedhim…

Mund të flitet shumë e më shumë për këtë poezi, por s’po shkoj më tej, veç dua të them se ajo më sjell mua, e kam me veten, dhe dy imazhe të fuqishme, e para, skulpturën mahnitëse të Moisiut të Michelangelo-s, që gjendet në Romë, në Kishën ”San Pietro in Vincoli”, ku familjarisht shkonim shpesh ta admironim, me orë të tëra rrinim para saj, më vonë u gëzova kur lexova se aty vinte shpesh që të shikonte “Moisiun”edhe Zigmund Freud i ri…

Ajo është vërtet një triumf me artin.

Po entuziazmi ynë për fitoret tona abdsurde, për të mos thënë të dēmshme, mos kanë nevojë për “Frojdin”, për psikiatër? – pyeta veten befas.

Poezia “Moisiu në Mal” është shkruar nja një shekull më parë dhe tani e mora nga “Albumi” i Nolit, të cilin, kur e botoi në Vitin 1946, ua kushtoi fitimtarëve të luftës, atyre që më pas ndërtuan mbylljen dhe ferrin e shqiptarëve e Noli do të prishej përfundimisht me ta. Neve do të na mbetej frika nga fitoret… duket sikur të tilla do t’i kishim…

Po të dalim tek e dyta, tek imazhi i Imzot Fan Noli, poet dhe gjeni i përkthimit, që i solli shqipes triumfalisht një Hamlet e Makbeth e një Don Kishot magjepsës, që Khajamin e bëri të dehej shqip, por ja, që i shkrepte dhe atij për fitore të mbrapshta duke u bërë “kryeministri që i binte fyellit”, siç e thotë dhe vetë, i pa parë, që solli ambasadën bolshevike në Tiranë, të parën në Ballkan. Dhe u përsërit e u përsërit, kryeministër jo me fyell, s’dua të flas për ata me karabina e kallashnikovë, por me penel. Nejse, Noli solli një tjetër fitore të madhe, që lidhet me shpirtin dhe identitetin, që s’po dimë ta ruajmë vërtet, themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Noli risolli dhe fantazmën heroike e frymëzuese të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, që e kishte marë emrin nga Shën Gjergji që mposhti Dragoin mizor dhe dhunues. Me emrin Gjergj triumfoi rilindja jonë…

KONJAKU “SKËNDERBEU”.

Dhe ne fitoret skënderbejane i shndërruam në një patriotizëm romantik, që si për t’u dehur prej tij, i shtydhëm dhe në një shishe konjaku me famë, madje dhe në botë, “Konjak Skënderbeu”. Dhe po përsërisim fitoret pa kuptim, ndërsa në entuziazmin e një ditë më pas, duke pëplasur gotat gjumëndjellëse plot me urime, biem si rishtarë në makthin e paharruar, pa parandjenja, aq më mirë, se ndoshta s’do të përsëritet e kaluara aq tamam. Na i tha dhe një Gjergj bashkëvuajtës, që erdhi nga burgjet dhe ëndrra, kërkoi fitoret morale si (ri)fillim, t’i arrinim bashkarisht, por e lamë mënjanë, duke ia mbyllur rrugën, që na e tregoi për një çast…

Roselle, Chicago, 30. 07. 2023