Një faqe e re për gjuhën shqipe në Amerikë: Programi Shqip-Anglisht në Arsimin Publik

Nga Drita Gjongecaj

NEW YORK

Së fundmi, në media të diasporës janë shfaqur shkrime që kanë sjellë paqartësi rreth natyrës dhe rëndësisë së programit të parë dygjuhësh shqip–anglisht, i hapur këtë vit në një shkollë publike në Nju Jork. Si iniciatore dhe bashkautore e këtij programi, ndjej detyrimin të sqaroj disa çështje për publikun e gjerë.

Programet e përmendura në ndonjë artikull dhe të filluara dekada më parë në shtetin e Connecticut, dhe programi i ri i hapur në shtator 2025 në Bronx, Nju Jork, janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme. Të dyja këto modele, së bashku me programin Anglisht si Gjuhë e Dytë (English as a Second language) hyjnë nën të njëjtën ombrellë të mësimit të një gjuhe të re qoftë kjo gjuhë e huaj apo gjuha e preardhjes.  

Ndryshimi thelbësor në rastin tonë është se në të parën nxënësit janë të ardhur rishtas nga vendet shqipfolëse dhe shqipja përdoret si ndihmë për të kuptuar anglishten nëpërmjet përkthimeve, etj.; programet e mëhershme nuk kanë qenë asnjëherë programe të mirëfillta dygjuhëshe por modele mbështetëse të tipit “pull-out bilingual ose ESL”të krijuara për t’i ndihmuar fëmijët e sapoardhur nga vendet amë të përshtateshin në shkollat amerikane e të mos mbeteshin shumë mbrapa me mësimet për shkak të deficencës së gjuhës.

Ndërkohë, në modelin e tanishëm nxënësit kanë lindur e janë rritur në Amerikë. Anglishten ata e flasin rrjedhshëm, por shqipen nuk e njohin. Pikërisht me synimin e mësimit të Gjuhës Shqipe, këtyre të dytëve u krijohen kushtet që cdo ditë të javës, në klasën e përditshme, shqipen ta mësojnë nëpërmjet lëndëve, kurrikulës dhe standardeve të Arsimit të Nju Jorkut. Ky model i mësimdhënies e mësimnxënies që impementohet në PS/MS 108 në Nju Jork, është programi i parë zyrtar dygjuhësh shqip–anglisht në një shkollë publike amerikane, i miratuar dhe drejtuar nga Departamenti i Arsimit i Nju Jorkut. Nxënësit mësojnë lëndët akademike në të dyja gjuhët me synimin për të zhvilluar aftësi të plota edhe në shqip, edhe në anglisht, duke e pasuruar njëkohësisht me njohjen e kulturës shqiptare dhe asaj amerikane.

Për nxënësit pjesëmarrës, shqipja nuk është një mjet ndihmës, por një urë lidhëse me rrënjët e tyre dhe një aset kulturor e intelektual që i forcon si individë dygjuhësh dhe qytetarë globalë.

Pikërisht kjo i jep vlerat kombëtare. Pikërisht kjo e bën atë një nismë që përfaqëson një moment historik për komunitetin shqiptar në diasporë duke e vendosur gjuhën shqipe në të njëjtin nivel me gjuhë të tjera që prej kohësh i kanë programe të tilla në Nju Jork e më gjerë, sic janë spanjishtja, frëngjishtja, polonishtja, gjuha kineze e ndonjë tjetër. Pas shumë vite përpjekjesh, edhe shqipja u bë pjesë e mozaikut gjuhësor të shkollave publike amerikane!

Sipas studimeve në këtë fushë, programet e dygjuhësisë së dyanshme janë ndër mënyrat më të suksesshme për zhvillimin e kompetencës gjuhësore dhe kulturore. Vec të tjerash, fëmijët që rriten në një mjedis të tillë bëhen edhe më të përgatitur për sfidat akademike dhe profesionale të së ardhmes. Për fat të keq, disa zëra që nuk kanë qenë pjesë e këtij procesi janë përpjekur ta minimizojnë këtë arritje. Por, puna e vërtetë nuk matet me slogane; ajo matet me rezultate të prekshme. Ky program është produkt i bashkëpunimit institucional, i profesionalizmit dhe i dashurisë për gjuhën shqipe e vendin nga vijmë.

Më shumë sesa një arritje arsimore, ky program është një strategji për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë gjuhësore shqiptare në brezat e rinj, ndërkohë që përgatit fëmijët tanë të konkurojnë në një botë shumëgjuhëshe dhe të ndërlidhur në mënyrë të atillë që as kufijtë nuk janë më të ndjeshëm.

Kjo është një arritje historike që i cel dyert formës më të avancuar për mësimin e gjuhës në bangat e shkollës. E ardhmja është shumëgjuhëshe.