Një fëmijë 5 vjeçar sulmohet nga ujku në oborrin e shtëpisë, në Brod të Shtërpcës

Prishtinë, 28 gusht 2028 – Një fëmijë 5-vjeçar është sulmuar nga një ujk në fshatin Brod të komunës së Shtërpcës, të mërkurën në mbrëmje. Sipas familjarëve, fëmija është tërhequr zvarrë nga ujku disa metra nga oborri i shtëpisë.

Fëmija pas sulmit është dërguar fillimisht në qendrën emergjente në Ferizaj, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Familjarët kanë treguar se fëmija është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë.

QKUK njoftoi se fëmija 5-vjeçar është pranuar Klinikën e Kirurgjisë Torakale me lëndime në gjoks dhe në shpinë dhe është në gjendje shëndetësore stabile.

“… më datë 27.08.2025, në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, komuna e Shtërpcës, me lëndime në gjoks dhe shpinë”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

“Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare. Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile. Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës”, thuhet më tutje në njoftim.

“Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë”, thuhet në njoftim.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, ka thënë se fëmija i sulmuar nga ujku do të jetë në mbikëqyrjen e mjekëve rreth  një javë.

“Gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile për momentin, por ai është duke u përcjellë. Lëndimet I ka në gjoks dhe në shpinë. Deri tash janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Por, ky pacient duhet të qëndrojë rreth një javë ditë në klinikën tonë, ndonëse gjendja e tij është stabile, E kemi ftuar dhe ekipin e epidemiologjisë”, ka thënë Kolgeci.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se policia në shtërpcë është njoftuar për rastin të mërkurën, më 27 gusht 2025, në orën 21:45.

“Me datën 27 gusht 2025, 21:45 policia në Shtërpcë është informuar për një sulm që ka ndodhur në lagjen ‘Coklarë’ të fshatit Brod, ku një ujk ka sulmuar një fëmijë. Fëmija pas sulmit është dërguar fillimisht në qendrën emergjente në Ferizaj, e më pas në Prishtinë, për trajtim më të specializuar mjekësor. Sipas familjarëve, sulmi kishte ndodhur rreth orës 19:00 kur fëmija, 5 vjeç ishte në oborrin e shtëpisë”, ka thënë Veseli.

(r.m.)